Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) ka bërë thirrje për një konsensus politik më të gjerë mbi çështjet integruese, duke paralajmëruar se ngërçi politik që ka karakterizuar Kosovën që nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti ka shkaktuar pasoja të mëdha për zhvillimin ekonomik dhe kredibilitetin ndërkombëtar të vendit, raporton Ekonomia Online.
Po ashtu u kërkua që përtej agjendës së brendshme partiake, vendi ka nevojë për një dialog dhe bashkëpunim më të gjerë për çështje kyçe si dialogu me Serbinë dhe përparimi i procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, si dhe aplikimi për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian.
Drejtoresha Ekzekutive e GLPS, Njomza Arifi, tha se vonesat në formimin e institucioneve dhe mosstabiliteti politik kanë rrezikuar shfrytëzimin e fondeve nga planet e rritjes ekonomike, duke kërcënuar mbi 800 milion euro që Kosova mund të përfitonte.
“Realisht ngërçi politik i cili ka karakterizuar vendin tonë qysh nga zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, ka sjellë pasoja mjaft të mëdha si për zhvillimin e brendshëm të Kosovës, po ashtu edhe për kredibilitetin e Kosovës në aspektin ndërkombëtar dhe ka dëmatuar realisht procese si të brendshme ashtu edhe ato të jashtme që lidhen shumë ngusht me reformat që Kosova duhet të kalojë. Një ndër kryesoret që ne kemi thënë që është rrezikuar është plani i rritjes qësh nga maji kemi bërë thirrje që nëse nuk kemi një qeveri stabile dhe institucione të krijuara, Kosova rrezikon seriozisht që këto mjete të ketë vonesa mjaft të mëdha që do të ndikonin në përfitimin e planit të rritjes që janë diku rreth mbi 800 milion euro edhe që Kosova përfiton më së shumti për kokë banori fonde nga ky plan”, tha ajo.
Arifi ka shtuar se ndikimi i ngërçit politik është evident edhe tek fondet e Bankës Botërore dhe projekte të tjera zhvillimore, të cilat nuk janë aprovuar për shkak të vonesave institucionale.
Ajo theksoi se Kosova ka humbur një vit të plotë sa i përket proceseve reformuese që janë themelore për integrimin në BE, përfshirë reformat në administratën publike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin demokratik.
“Po ashtu e kemi parë edhe në publik që rrezikohen edhe fondet e Bankës Botërore edhe shumë iniciativa të tjera të cilat Kosova do të duhej t’i kishte aprovuar deri tani, por që për shkak të ngërçit politik nuk kemi arritur të bëjmë një gjë të tillë. Në aspektin e procesit integrues, Kosova natyrisht që mbetet mbrapa, këtë e ka theksuar edhe raporti i vendit i cili u publikua në nëntor të këtij viti, ani pse kishte parë përmirësime në disa kapituj, i tërë raporti flet se si Kosova ka pasur realisht një vit të humbur sa i përket proceseve të brendshme reformuese, jo vetëm të integrimit, por edhe të reformave të brendshme të cilat i përkasin atyre fundamentaleve të BE-së, siç janë reformat në administratën publike, sundimi i ligjit dhe reformat e tjera të zhvillimit demokratik të vendit. Pra, është një fatkeqësi që ne kemi hyrë në një ngërç që do të ketë, pa evitushem, pasoja të cilat vështirë se do të mund të sanohen në një të ardhme”, tha ajo.
Duke folur për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, ajo theksoi se stabiliteti politik është vendimtar për progresin e planeve ekonomike dhe proceset integruese. Ajo ka kërkuar që spektri politik të arrijë konsensus mbi çështje që tejkalojnë interesat partiake, si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, dialogu me Serbinë dhe aplikimi për statusin e kandidatit në BE.
“Pas krizës institucionale e cila pastaj është shndërruar në krizë kushtetuese le të themi, zgjedhjet e parakohshme ishin të pa evitueshme, në realitet se cila do të jenë rezultatet do të shohim pas 28 dhjetorit, mirëpo i gjithë spektri politik në Kosovë duhet të ketë parasysh një gjë që janë disa çështje që janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe që e tejkalojnë agjendën partiake dhe kërkojnë një konsensus më të gjerë politik, e këtu mund të përmendim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili do të mund të bëhet i mundshëm vitin e ardhshëm në takimin e radhës të Këshillit”, tha ajo.
Arifi shtoi se stabiliteti politik është i domosdoshëm për përparimin e planeve të rritjes dhe proceseve integruese.
“Pastaj planin e rritjes dhe, le të themi, dedikimin e spektrit politik për të shtyer përpara aplikimin e Kosovës për statusin kandidat, i cili ende mbetet në sirtarët e BE-së. Pra, ka procese të cilat e tejkalojnë agjendën partiake dhe duhet të kërkohet një konsensus më i madh dhe ndër më të rëndësishmit këtu është natyrisht dialogu me Serbin dhe kërkesa që Kosova duhet të përmbushë që kanë dalur nga marrëveshja e normalizmit të nënshkruar në Ohër”, tha ajo.
Kosova do të shkojë për herë të dytë këtë vit në zgjedhje parlamentare më 28 dhjetor, pas dështimit të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.







