Përgatiti: Donisa Fazliu
Në Gjykatë erdhën, por hynë larg syrit të mediave.
Bashkëshorti i Liridona Murselit, bashkë me 2 të tjerë që dyshohet që kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, dolën sot para gjykatësit të procedurës paraprake.
Pas seancës dëgjimore që zgjati më shumë se dy orë, Gjykata aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore, dhe ua caktoi nga 1 muaj paraburgim, 3 të pandehurve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.
Sipas gjykatës themelore, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta, në mënyrë dinake, bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin Granit Plavën për ta vrarë të ndjerën Liridonën.
“Paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes. G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”.
Përveç se thanë se pretendimet e tyre i paraqitën në seancë, avokatët e të dyshuarve nuk dhanë detaje të tjera.
Familjarët e Liridona Murselit, nuk u lejuan të qëndrojnë në seancën dëgjimore, derisa thonë se i besojnë drejtësisë së Kosovës.
Ndërkaq, prokuroria ka pranuar kërkesën e familjarëve për zhvarrosjen e Liridona Ademaj – Murselit, dhe rivarrosjen në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës në ora 14:00.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: