Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka thënë të hënën se do të përqendrohet vetëm tek “interesat më të mira të Izraelit” kur ta shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta falur për akuzat për korrupsion.
“Do të shqyrtohet në mënyrën më të drejtë dhe më të saktë. Unë do t’i marr parasysh vetëm interesat më të mira të Shtetit të Izraelit dhe të shoqërisë izraelite”, tha Herzog në një deklaratë.
Netanyahu njoftoi të dielën se kishte paraqitur kërkesën për falje, duke thënë se çështjet e gjata gjyqësore po e copëtonin Izraelin.
Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i shkroi muajin e kaluar Herzogut, duke i kërkuar ta falë Netanyahun.
Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.
Ai dhe bashkëshortja e tij Sara akuzohen në një rast se kanë pranuar më shumë se 260.000 dollarë në formë dhuratash luksoze si puro, bizhuteri dhe shampanjë nga miliarderë në këmbim të favoreve politike.
Kryeministri akuzohet gjithashtu se ka kërkuar të negociojë mbulim më të favorshëm mediatik nga dy media izraelite në dy raste të tjera.
Meqenëse çështjet kanë nxjerrë në pah përçarje të thella në shoqërinë izraelite midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij, Netanyahu tha se po kërkon që të falet në mënyrë që t’i “ulë tensionet dhe ta promovojë pajtimin që vendit tonë i duhet kaq shumë”.
Netanyahu e ka mohuar vazhdimisht fajësinë në rastet gjyqësore dhe nuk e pranoi fajësinë as të dielën kur njoftoi se i ka kërkuar presidentit ta falë.
Ai doli para gjykatës në Tel Aviv, ku protestues pro dhe kundër tij brohoritën slogane. Disa prej protestuesve ishin të veshur me uniforma ngjyrë portokalli të stilit të të burgosurve.
“Ai duhet të gjykohet si çdo qytetar tjetër në Izrael”, tha për AFP protestuesja Paula Keusch.
Por, demonstruesi pro Netanyahut, Rafael Shamir tha: “Nëse e mira e vendit e çon Netanyahun të kërkojë pezullimin e gjyqit, atëherë unë e mbështes atë”.
Në Izrael, falja tradicionalisht është dhënë vetëm pasi procedurat ligjore kanë përfunduar dhe i pandehuri është dënuar.
Avokatët e Netanyahut argumentuan se presidenti mund të ndërhyjë kur është në rrezik interesi publik, si në këtë rast, me synimin për të shëruar ndasitë dhe për të forcuar unitetin kombëtar. /REL/







