Me pankarta në duar që mbanin mbishkrime në gjuhën shqipe dhe angleze, familjarë e qytetarë të shumtë u mblëdhën të martën në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të kërkuar lirimin e ish-policit, Arbnor Spahiu, i cili po mbahet në paraburgim në Serbi që nga muaji qershor.
Babai i Arbnorit, Fatmir Spahiu theksoi se ndaj djalit të tij po bëhet një padrejtësi, duke kujtuar se ai po akuzohet për ngjarjën në Banjskë në vitin 2023, derisa kishte lënë Policinë e Kosovës në nëntor të vitit 2022.
“Me Arbnorin janë takuar shoqja dhe nena e Arbnorit. Arbnori sa i përket gjendjes fizike është mirë, për shkak gjendjes emocionale dihet se është i lodhur, i mërzitur nga padrejtësia qe po i behet, ndërsa me u maltretu nuk është maltretuar, sjellja ka qene korrekte, mirëpo ai po e vuan atë pasi qe është duke u mbajtur ne mënyre te padrejtë” shtoi ai.
Vajza e axhës së Spahiut, Donjeta Spahiu, kritikoi autoritetet e Kosovës për mungesë të veprimit karshi këtij rasti.
“Sot jemi në muajin e katërt të kësaj padrejtësie. Janë 4 muaj të rëndë për Arbnorin, që dikur i shërbente dinjitetshëm vendit. Institucionet duhet të ngrisin zërin, sepse heshtja e tyre është dështim” deklaroi për ATV-në Spahiu.
Organizatorja e protestës, Erëza Zeqiri kërkoi reagim edhe të bashkësisë ndërkombëtare.
“Po ashtu u bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur” shtoi ajo.
Arbnor Spahiu u arrestua më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, ndërsa dy ditë më vonë Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij.
Ai akuzohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë” lidhur me ngjarjen në Banjskë të Zveçanit më 23 shtator 2023.







