Përgatiti: Armand Hoti
Të martën, në Parlamentin e Spanjës, pritet të hidhet për votim propozimi i partisë katalonase “Junts”, për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga qeveria spanjolle.
Referuar propozimit të Juntsit, Spanja duhet ta njohë Kosovën, meqë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010, ia pranoi si të ligjshme pavarësinë.
Në letrën e 5 qershorit dërguar parlamentit, “Junts” përmend se refuzimi i Spanjës për ta njohur Kosovën, është faktor destabilizues për Ballkanin Perëndimor, në konteksin aktual gjeopolitik.
Por Insistimi i partisë katalonase, sipas njohësit të politikës së jashtme, Emir Abrashi, nuk mjafton për t’ia sjell Kosovës njohjen e re.
“Është lajm i mirë që çështja e Kosovës, diskutohet edhe në institucione qendrore Spanjolle, megjithatë ne duhet të kemi parasysh se partia Junts është një parti goxha e vogël dhe nuk ka ndonjë peshë në nivel nacional në Spanjë”, tha Abrashi.
Abrashi thotë se angazhimi për njohjen e Kosovës, nuk bënë t’i lihet në dorë vetëm partisë nga Katalonia, që mbështet qeverinë spanjolle.
“Diplomacia kosovare duhet të punoj më aktivisht me Madridin zyrtar për ta bërë një ndarje mes çështjes së Kosovës dhe Katalunisë, për shkak se këto si tema janë të ndryshme. Përderisa katalonia është rajoni më i pasur në Spanjë, Kosova ka dalur nga një luftë gjenocidale me Serbinë dhe rrjedhimisht ka qenë i pamundur vazhdimi i bashkëjetesës me Serbinë”, tha Abrashi.
Edhe profesori i shkencave politike Basri Muja, nuk pret që iniciativa e Juntsit t’i lëviz marrëdhëniet zyrtare mes dy vendeve.
“Nuk do duhej që e gjithë barra t’i mbetej vetëm institucioneve qeveritare, do duhej që edhe parlamenti i Kosovës, diplomacia parlamentare është një mekanizëm shumë i fuqishëm…pastaj partitë politike, posaçërisht dy partitë e mëdha, do duhej të krijojnë kontakte raporte, të tentojnë t’i bindin partitë si motra”, tha Muja.
Pos Spanjës, Kosovën nuk e njeh as Sllovakia, Greqia, Rumania e Qipro, që janë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Njohësit Abrashi e Muja, konsiderojnë se Kosova duhet të luaj me kartën e lobimit.
Njohjen e fundit, Kosova e mori nga Izraeli, ku në shkurt të vitit 2021, dy vendet formalizuan marrëdhëniet diplomatike.