Ceremonia e ndarjes së çmimeve për “Topin e Artë” të vitit 2025 do të zhvillohet më 22 shtator në “Théâtre du Châtelet” në Paris, transmeton KosovaPress.
Topi i Artë do të shpallet një muaj më herët se zakonisht këtë vit: ndërsa ceremonitë e fundit u mbajtën në fund të tetorit, edicioni i vitit 2025 do të zhvillohet më 22 shtator.
Mbrëmja do të zhvillohet në të njëjtin vend prestigjioz: Théâtre du Châtelet, në zemër të Parisit. Lojtarët e nominuar për trofetë do të shpallen në gjysmën e parë të gushtit.
Ceremonia e vitit 2025 do të shënohet nga barazia në shpërndarjen e çmimeve: të gjitha trofetë që ekzistonin vetëm për burrat tani do të jenë në dispozicion edhe për gratë (portierja më e mirë, lojtarja më e mirë e re, golashënuesja më e mirë).
Duhet kujtuar se kjo ceremoni organizohet nga France Football: 30 lojtarë janë nominuar për Topin e Artë dhe emrat e tyre do të hidhen në votim. Votuesit janë gazetarë. Janë 100 për Topin e Artë të meshkujve dhe 50 për Topin e Artë të femrave.
Nga ana e saj, France Football ka njoftuar një modifikim në kriteret e përzgjedhjes. Do të merren në konsideratë tre kritere hierarkike . Së pari, performancat individuale dhe natyra vendimtare dhe mbresëlënëse e lojtarit. Së dyti, aspekti kolektiv dhe trofetë e fituar. Së fundmi, klasi dhe loja e ndershme. Megjithatë, kriteri që lidhet me tërësinë e karrierës së një lojtari është hequr nga procedurat e votimit për garën e këtij viti.