Ndërhyrjet estetike dhe injeksionet në fytyrë janë kthyer në një trend masiv vitet e fundit, por bashkë me popullaritetin është rritur edhe rreziku.
Ekspertët paralajmërojnë se këto procedura, që shpesh duken të thjeshta dhe të sigurta, mund të shkaktojnë komplikacione serioze, përfshirë bllokimin e arterieve që çon në deformime të fytyrës dhe madje verbëri. Ky paralajmërim vjen pas një studimi ndërkombëtar, ku përmes ekografisë u analizuan 100 raste komplikacionesh të shkaktuara nga këto injeksioni/ ndërhyrje estetike.
Sipas studimit, klinikat duhet të kryejnë ekografi para çdo injeksioni në fytyrë, me qëllim identifikimin e enëve të gjakut dhe shmangien e dëmtimit të tyre. Udhëheqësja e kërkimit, Dr. Rosa Sigrist nga Universiteti i São Paulo-s në Brazil, tha se edhe pse të rralla, rastet e “okluzionit vaskular”, kur mbushësi injektohet në ose pranë arterieve mund të rezultojnë fatale për indet e fytyrës.
“Komplikacionet e tilla mund të shkaktojnë nekrozë, deformime të fytyrës, verbëri dhe në raste ekstreme goditje në tru”, deklaroi Dr. Sigrist. Ajo shtoi se zonat rreth hundës janë veçanërisht të rrezikshme, pasi enët e gjakut komunikojnë me struktura shumë delikate të kokës.
Studimi u zhvillua midis majit 2022 dhe prillit 2025 në disa qendra ndërkombëtare radiologjie dhe dermatologjie në Brazil, Kolumbi, Kili, Holandë dhe SHBA. Rezultatet do të prezantohen këtë javë në takimin vjetor të Shoqatës Radiologjike të Amerikës së Veriut.
Nga analiza me ekografi, studiuesit zbuluan se në gati gjysmën e rasteve kishte mungesë qarkullimi në enët e vogla të gjakut të fytyrës, ndërsa në një të tretën e rasteve nuk kishte qarkullim as në enë më të mëdha. Sipas Dr. Sigrist, përdorimi i ekografisë si gjatë planifikimit ashtu edhe gjatë trajtimit të komplikacioneve lejon injektimin e saktë të ilaçit për shpërbërjen e mbushësit, duke ulur nevojën për doza të mëdha.
Edhe Shoqata Britanike e Kirurgëve Plastikë Estetikë (BAAPS) mbështet përdorimin e ekografisë, ndonëse thekson se ende nuk konsiderohet standard i detyrueshëm në klinikat estetike. Presidentja e shoqatës, Nora Nugent, tha se hartëzimi i enëve të gjakut para trajtimit rrit ndjeshëm sigurinë e pacientëve dhe se profesionistët e pakualifikuar përbëjnë rrezik të madh.
Ndërkohë, qeveria britanike ka paralajmëruar masa të reja për rregullimin e procedurave estetike. Sipas propozimeve, procedurat me rrezik të lartë, përfshirë “Brazilian butt lift”, do të kryhen vetëm nga profesionistë të kualifikuar. Klinikat që ofrojnë mbushës dhe botoks do të kenë detyrimin të plotësojnë standarde të reja licencimi. Konsultimi publik për këto ndryshime pritet të hapet në fillim të vitit 2026, ndërsa vendimi final do t’i takojë Parlamentit britanik.







