Kalo te përmbajtja
Të fundit

NATO paralajmëron zvogëlim të pranisë në Kosovë, pas përmirësimit të situatës së sigurisë

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

NATO paralajmëron zvogëlim të pranisë në Kosovë, pas përmirësimit të situatës së sigurisë

Situata e sigurisë në Kosovë ka vazhduar të përmirësohet gjatë viteve të fundit, duke bërë që NATO të nisë optimizimin e misionit të KFOR-it dhe të përshtatë gradualisht praninë e saj gjatë vitit të ardhshëm.

NATO përmes një njoftimi ka bërë të ditur se në janar ka ndërprerë dislokimin e forcave rezervë në kuadër të KFOR-it, pas më shumë se dy vitesh rotacioni të vazhdueshëm.

Reklamë

Sipas njoftimit, që nga viti 1999, prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht për t’iu përgjigjur zhvillimeve të sigurisë në Kosovë.

Pas tensioneve dhe dhunës së shtuar në vitin 2023, përfshirë sulmet e pajustifikuara ndaj paqeruajtësve të KFOR-it në Zveçan, misioni kishte marrë përforcimin më të madh në më shumë se një dekadë, me dislokimin e gati 1,000 trupave shtesë, thuhet tutje.

“NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për sigurinë në Kosovë”, ka deklaruar gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA-së, Alexus G. Grynkewich, Komandant Suprem i Forcave Aleate në Evropë.

Ai ka shtuar se kushtet aktuale krijojnë mundësi për optimizimin e mëtejshëm të madhësisë dhe pranisë së KFOR-it.

NATO ka theksuar se uljet e planifikuara do të jenë graduale, të bazuara në kushtet në terren dhe mund të kthehen prapa nëse zhvillimet e sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë.

Aleanca ka ritheksuar se KFOR-i do të vazhdojë të ruajë një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.

NATO gjithashtu ka rikonfirmuar mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u bërë thirrje të dyja palëve që të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Reklamë

NATO paralajmëron zvogëlim të pranisë në Kosovë, pas përmirësimit të situatës së sigurisë | ATV