Ministrja e dorëhequr e Arsimit, Arbërie Nagavci, në emisionin CONTEXT në ATV, konfirmoi se këtë vit shkollor kostoja për libra ka qenë më e lartë krahasuar me vitet e kaluara, por tha se për herë të parë janë subvencionuar edhe mjetet tjera shkollore për prindërit.
Ajo tha se ministria ka thyer monopolin e mëparshëm të shtëpive botuese, duke futur tekstin alternativ dhe duke u dhënë shkollave të drejtën të zgjedhin vetë librat.
“Ka qenë sekret publik që një shtëpi botuese ka pasur mbi 60% të tregut. Ne kemi lejuar tekstin alternativ dhe kemi furnizuar shkollat me librat që kanë zgjedhur vetë mësuesit, në bazë të listës së miratuar. Kjo ka rritur konkurrencën dhe cilësinë”, deklaroi Nagavci.
Në lidhje me koston, ajo tha se është më e lartë për shkak se këtë vit, përveç librave, janë përfshirë edhe mjetet shkollore në ndihmën financiare për prindërit.
“Po, kanë kushtuar më shtrenjtë. Por këtë vit kemi subvencionuar prindërit jo vetëm për libra, por edhe për mjetet shkollore. Dhe kjo është arsyeja pse vlera është më e madhe. Nuk kemi blerë libra që të mbesin stok në shkolla, siç kanë gjetur auditorët në të kaluarën”, sqaroi ajo.
Deklaratën e plotë të Arbërie Nagavcit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: