Në vendin tonë, por edhe në shumë shtete të tjera, sot ka nisur dita e parë e Muajit të Shenjtë të Ramazanit në të cilin agjërojnë myslimanët.
Imami Husamedin Abazi, në një bisedë për ATV-në, tregoi se kush është i obliguar ta agjërojë këtë muaj dhe kush lirohet nga agjërimi.
“Me agjërim obligohet çdo mysliman e myslimane në moshë të rritur edhe që janë të shëndetshëm, ndërsa njerëzit që lirohen nga agjërimi, janë ata të cilët janë të sëmurë me sëmundje të rënda, lehonat, gratë që janë shtatzëna, nëse konstatohet nga mjeku se mund të dëmtohet fryti nga agjërimi, udhëtari kur është në udhëtim edhe raste të këtilla të ngjashme. Synimi i agjërimit nuk është vetëm largimi nga ngrënia edhe pirja, por është edhe çështje në avancimin në formimin, edukimin, devotshmërinë”, tha Abazi.
Ai tha se por largimit nga ngrënia, pirja dhe jeta intime bashkëshortore, besimtarët në këtë muaj largohen edhe nga ofendimet, fjalët boshe dhe bisedat e kota.
“Ngrënia, pirja dhe jeta bashkëshortore, jeta intime është fjala. Mbi këto, agjërimi i jonë nuk ka të bëjë vetëm me këto aspekte, por fillimisht, ne duhet me agjëru së pari me atë agjërim që e kemi obligim gjatë 12 muajve e që atë agjërim ne e bëjmë dhe duhet ta bëjë çdo mysliman dhe myslimane e që ka të bëjë me agjërimin nga çështja e fjalëve boshe, nga bisedat e kota, nga aspekti i ofendimit. Krejt këto janë gjëra edhe aspekte nga të cilat, myslimani dhe myslimania duhet me agjëru gjatë tërë vitit, gjatë Ramazanit, këtij agjërimi ne ia shtojmë edhe aspektin e abstenimit pra nga ngrënia, pirja edhe jeta intime bashkëshortore”, tha imami Husamedin Abazi. /atvlive.tv
Bisedën e tij të plotë për ATV-në e gjeni në videon më poshtë: