Ruajtja e moralit, kulturës gjuhës dhe kombit ishte thirrja e myftiut të Kosovës, Naim Tërnava në ligjëratën e mbajtur gjatë manifestimit qendror të Kurban Bajramit, në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Duke apeluar për familje më të mëdha, ai i propozoi Qeverisë së Kosovës që t’iu jap falas nga një shtëpi të gjitha familjeve që kanë katër ose më shumë fëmijë, raporton KosovaPress.
“Rënia e natalitetit është alarm kombëtar”, u shpreh ai.
Në ligjëratën para besimtarëve, Tërnava theksoi rëndësinë e sakrificës, bashkimit dhe vlerave familjare. Derisa shtoi se Festa e Bajram Bajramit është ditë gëzimi por edhe reflektimi.
“Festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi por edhe ditë reflektimi. Është ditë kur e rikujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që Ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë dhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë drejt njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi. Kurban Bajrami është ditë e madhe, sakrifice dhe solidariteti… Kurban Bajrami na mëson se feja jonë kërkon sakrificë, jo vetëm në aspektin material, por edhe në përpjekje për ta përmirësuar shoqërinë, për ta ruajtur atdheun, për ta forcuar familjen dhe për ta mbrojtur të ardhmen tonë… Sakrifica që kërkohet prej nesh sot, është sakrifica për të ruajtur moralin, kulturën, gjuhën dhe vetë ekzistencën tonë si komb”, tha ai.
Edhe këtë herë, myftiu Tërnava foli për migrimin, për çka kërkoi nga institucionet e vendit që të dalin me një strategji kombëtare për natalitetin.
Familja, siç tha ai, duhet parë si bekim e kontribut në ruajtjen e shoqërisë dhe kombit, e jo si barrë e frikë nga risku.
“Kosova ka nevojë për më shumë fëmijë, për më shumë të rinj, për jetë më të mirë. Kombi ynë po zbehet në numër të vogël të fëmijëve, ndërkohë që shumë familje shqiptare në të kaluarën i kanë rritur nga 10 fëmijë, në kushte shumë më të vështira, atëherë kur ishim të okupuar nga Serbia. Nataliteti si strategji kombëtare dhe fetare për mbrojtjen e fesë dhe atdheut, ndërlidhet me sigurinë kombëtare dhe shtetërore… Rënia e natalitetit është një alarm kombëtar, shteti duhet të reagojë me shpejtësi të madhe, të mbështesë familjet me politika pro natalitetit, siç janë, punësimi i të dy prindërve, lehtësimet ekonomike, mbështetja për nënat shtatzëna, kujdesi për fëmijët e tjerë. Shteti duhet të ketë strategji konkrete për ndihmë ekonomike, arsimore, shëndetësore dhe sociale për këto familje dhe këta fëmijë. Dhe, çdo qift që ka katër e më shumë fëmijë, i propozoj qeverisë që t’ua dhurojë të gjithëve nga një banesë – gratis. Kjo nuk është vetëm nevojë ekonomike për këto familje, por është edhe përgjegjësi morale, fetare dhe kombëtare, sepse duke ndërtuar një familje të shëndoshë ne ndërtojmë të ardhmen”, tha ai.
Tërnava apeloi që në një ditë si sot të kujtohen dhe të ndihmohen të kujtojmë të varfrit dhe jetimët, shkruan KosovaPress.