Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se partitë opozitare po vazhdojnë me taktika bllokuese, duke penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, raporton ATV.
Sipas tij, Kushtetuta është e qartë – zgjedhja e Kryesisë së Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha partive parlamentare, jo vetëm e partisë fituese.
“Gjykata Kushtetuese ka interpretuar se të gjithë deputetët kanë për obligim të marrin pjesë në votim për Kryetarin dhe Nënkryetarët e Kuvendit”, u shpreh Murati në një deklaratë për gazetarë në hollin e Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Ai tha se nuk është e drejtë që partitë opozitare të refuzojnë pjesëmarrjen, duke i lënë institucionet të bllokuara.
“Po të kërkohej që partia fituese të siguronte shumicën edhe për Kryetarin e Kuvendit, atëherë as opozita nuk do t’i kishte 61 vota për të zgjedhur nënkryetarët e saj,” tha ai.
Murati shtoi se, sikurse ndodhi me raportin e verifikimit të mandateve, opozita fillimisht e votoi kundër, por pastaj ndryshoi qëndrim.
“Na humbën katër ditë dhe dy seanca, e tani po ndodh e njëjta edhe për Kryetarin e Kuvendit”, u shpreh ai. /atvlive.tv