Pas ndërprerjes së seancës së pestë konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i është përgjigjur AAK-së për propozime e kësaj të fundit, duke thënë se propozimi për kryetarin e Kuvendit është kompetencë ekskluzive e partisë fituese të zgjedhjeve, raporton ATV.
“Propozimi i takon partisë së parë, jo partisë së katërt. Nuk mund të marrim propozime nga AAK-ja”, tha Murati.
Murati paralajmëroi se hyrja në një cikël të kontestimeve të ndërsjella do ta bllokonte Kuvendin pafundësisht.
“Nëse nisemi të kontestojmë kandidatët për nënkryetarë të partive tjera, asnjëherë nuk do të konstituohet Kuvendi”, shtoi ai.
Sipas Muratit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë interes për të zvarritur procesin dhe se Kuvendi do të ishte konstituuar më 15 prill po të varej vetëm nga partia fituese.
Seanca e radhës pritet të mbahet të premten, ndërsa konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit mbetet ende e pazgjidhur. /atvlive.tv