Profesori i AAB-së, Basri Muja, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se bllokada institucionale buron nga fakti që asnjëri prej dy blloqeve politike – as Vetëvendosje e as opozita – nuk i ka votat e mjaftueshme për të vepruar.
Sipas tij, të dyja palët po shmangin konstituimin e Kuvendit nga frika se ai do ta çojë procesin në një fazë tjetër më dinamike dhe me afate të përcaktuara ligjore.
“Mendoj që ky është një problem ma i thellë. Është problemi që të dy blloqet nuk i kanë numrat e mjaftueshëm dhe të dy blloqet i frigohen pastaj që pas, në rast të konstituimit të Kryesisë së Kuvendit, atëherë do të kalohet në atë rundin tjetër, në atë tavolinën tjetër, ku pastaj dinamika është më e shpejtë, sepse gjithçka është e afatizume dhe ka skadencë”, tha Muja.
Ai tha se asnjëra palë nuk është e gatshme për zgjedhje të reja, pasi nuk kanë asgjë të re për t’u ofruar qytetarëve.
“Asnjëra palë nuk i ka numrat, besoj edhe asnjëra palë nuk është e gatshme me shku në zgjedhje, sepse çka do t’i ofronin qytetarëve, pos asaj që kanë ofru në muajin shkurt”, u shpreh Muja.
Deklaratën e plotë të profesorit Basri Muja në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: