Një ngjarje e pazakontë ka tronditur konkursin “Miss Universe”, pasi një grup konkurrentesh kanë bojkotuar një nga aktivitetet zyrtare në shenjë solidarizimi me Miss Meksikën. Bojkoti erdhi pas një përplasjeje të ashpër publike midis përfaqësueses meksikane Fátima dhe drejtuesit të konkursit, i cili e qortoi atë duke e akuzuar për “mungesë respekti”.
Victoria Theilvig, fituesja daneze e edicionit të kaluar, u largua nga ceremonia e vendosjes së shamive në hotelin e delegateve në Bangkok, Tajlandë, pas kritikave të ashpra që drejtori Nawat Itthipong e drejtoi ndaj Fátimës para dhjetëra pjesëmarrëseve.
Pamjet që po qarkullojnë online tregojnë momentin kur Nawat përpiqet të arsyetojë deklaratat e tij, duke thënë:
“Jam njeri. Nuk kam dashur të bëj diçka të tillë.”
Më pas, ai kërkoi falje publikisht për incidentin:
“Nuk kam pasur qëllim të lëndoj askënd sepse i respektoj të gjithë. Më vjen shumë keq që ndodhi kjo. Së pari, dua t’u kërkoj falje të gjitha konkurrenteve. Nëse dikush u ndje e prekur apo e pasigurt nga ajo që ndodhi, më vjen sinqerisht keq.”
Faljet e tij erdhën vetëm një ditë pas përplasjes së bujshme me Miss Meksikën, gjatë një eventi paralajmërues të konkursit.
Sipas raportimeve, drejtori e veçoi publikisht përfaqësuesen e Meksikës duke e kritikuar pse nuk kishte marrë pjesë në një xhirim me sponsorët:
“Meksika, ku je? Kam dëgjuar që nuk do të mbështesësh asgjë që ka të bëjë me Tajlandën. A është e vërtetë?” – i tha ai, përpara se ta quante “budallaqe”.
Situata u përshkallëzua kur ai e ndërpreu përsëri me ton të lartë, ndërsa Fátima iu përgjigj:
“Kam një zë. Nuk po më respekton si grua.”
Në pamjet e publikuara në Facebook-un zyrtar të Miss Universe Thailand, Nawat shihet teksa e urdhëron sigurinë ta largojë përfaqësuesen e Meksikës nga hoteli. Në atë moment, disa konkurrente të tjera u ngritën dhe u bashkuan me të në shenjë revolte.
“Të poshtërosh një vajzë tjetër – kjo është më shumë se mungesë respekti. Kështu që po marr pallton time dhe po largohem”, deklaroi Victoria Theilvig, 21 vjeçe, e cila i printe grupit të vajzave që u larguan nga ceremonia.
Pamjet nga incidenti janë bërë virale në rrjetet sociale, ku mijëra përdorues kanë përgëzuar qëndrimin e Victorias dhe Miss Meksikës, duke e quajtur “momentin më fuqizues në historinë e Miss Universe”.








