Legjendat urbane dhe mitet shëndetësore na kanë shoqëruar brez pas brezi, duke u bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Shpesh i kemi pranuar si të vërteta absolute, edhe pse shkenca ka treguar të kundërtën. Më poshtë, sipas një liste të publikuar nga AgroWeb.org, gjeni disa prej pretendimeve më të përhapura – dhe çfarë thotë realisht shkenca për to.
A duhet vërtet të pimë 8 gota ujë në ditë?
Nuk është e nevojshme të numëroni gotat. Studimet tregojnë se njerëzit që pijnë një gotë ujë vetëm kur janë të etur, marrin sasinë e mjaftueshme për të qëndruar të hidratuar.
Edhe lëngjet, supat apo perimet kontribuojnë në hidratim.
Ekspertët theksojnë se pijet e tepërta mund të shkaktojnë edhe “overdozë uji”, një gjendje që shfaqet kur trupi merr më shumë se sa i nevojitet.
A dëmtojnë vezët zemrën?
Sipas studimeve të Harvard, ngrënia e dy vezëve në ditë nuk rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
Vezët përmbajnë omega-3 dhe aminoacide thelbësore, të dobishme për shëndetin kardiovaskular.
A sëmuremi kur rrimë në të ftohtë?
Qëndrimi për një kohë të gjatë në temperatura të ulëta nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të ftoheni.
Përkundrazi, studimet tregojnë se personat që ekspozohen disa orë në temperatura nën zero shpesh janë më të shëndetshëm.
Bakteret shumohen më lehtë në ambiente të ngrohta të brendshme.
Multivitamina çdo ditë?
Ekspertët thonë se multivitaminat duhen marrë vetëm kur rekomandohen nga mjeku, pasi ato nuk mund të zëvendësojnë vitaminat dhe mineralet që merren natyrshëm nga ushqimi.
Ushqimi i pasur me fruta, perime, drithëra, arrorë dhe vaj ulliri është alternativa më e shëndetshme.
A ndihmon mëngjesi në rënien nga pesha?
Ngrënia e mëngjesit mban larg urinë, por rënia në peshë nuk varet vetëm prej tij.
Rezultati ndryshon sipas llojit të ushqimeve të konsumuara dhe balancës mes vakteve.
A i bën sheqeri fëmijët hiperaktivë?
Sheqeri është i dëmshëm, por studimet thonë se nuk shkakton hiperaktivitet.
Shpesh janë vetë prindërit që presin këtë efekt dhe ia atribuojnë sjelljet e fëmijëve konsumit të sheqerit.
A shkakton kërcitja e gishtave artrit?
Kërcitja e gishtave nuk shkakton artrit. Zhurma vjen nga formimi i gazrave mes kockave të gishtave.
Megjithatë, bëhet e ditur se kërcitja e shpeshtë mund të shkaktojë enjtje dhe ndjesi shtrëngimi në duar, prandaj këshillohet të shmanget.







