Për shkak të mjegullës disa fluturime janë anuluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ndonëse javë më parë është instaluar sistemi i avancuar i aterimit – ILS CAT 3B.
Lidhur me këtë ka njoftuar sot ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili theksoi se ky sistem është funksional dhe sipas tij, fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.
“Aeroporti i Prishtinës është në shërbim gjatë tërë kohës, pasi ka të instaluar dhe funksional sistemin e avancuar të aterrimit ILS CAT IIIb, i cili mundëson aterrime edhe në kushte të mjegullës së dendur, deri në dukshmëri minimale prej 50 metrash.
Fluturimet me pilotë të certifikuar për përdorimin e këtij sistemi kanë aterruar me sukses, ndërsa ato fluturime pa certifikimin e nevojshëm janë anuluar ose devijuar.
46 ardhje-shkuarje janë realizuar me sukses, derisa 12 janë anuluar në ardhje”, tha ai. /Telegrafi/