Përgatiti: Benita Zeneli
Seanca e së enjtes e Kuvendit filloi me një minutë heshtje në nderim të policit Afrim Bunjaku.
Bunjaku u vra në detyrë pas sulmit të një grupi të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Basnjkë të Zveçanit.
Duke e dënuar këtë sulm të 24 shtatorit, deputetët miratuan një rezolutë sipas së cilës, përpos që dënohet ky sulm, përmendet edhe nevoja për hetim ndërkombëtar lidhur me rolin e mundshëm të shtetit serb.
Rezoluta është miratuar me 97 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
Veç kësaj, ndaj Serbisë u kërkua të vendosen sanksione.
“Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin. Kërkojmë që organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada Veriore” të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës”, tha Kurti.
Mbështetje të parezervë Rezolutës i dhanë edhe partitë opozitare.
Rezoluta e votuar u përpilua në bashkëpunim të të gjitha grupeve parlamentare në Kuvend.
Njëkohësisht sulmin e së dielës ndaj Policisë e ka dënuar edhe bashkësia ndërkombëtare, duke bërë thirrje që fajtorët të përballen me drejtësi.