Me rastin e shënimit të 15-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, ministrja e Punëve të Jashtme të Japonisë, Kamikawa YOKO, sot do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla si dhe me ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
YOKO, përmes një mesazhi lidhur me vizitën e saj në Kosovë, të cilën e ka siguruar ATV, ka përmendur se Japonia, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, të cilën e njohu në mars të 2008-tës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike një vit më vonë, e ka mbështetur vazhdimisht shtet-ndërtimin e Kosovës.
“Japonia ka mbështetur vazhdimisht shtet-ndërtimin e Kosovës nga Asistenca Zyrtare për Zhvillim (ODA) përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) si dhe mjete të tjera. Dhe me një synim të fortë për të forcuar më tej dialogun dhe bashkëpunimin me rajonin, në janar 2018, kryeministri i atëhershëm z. Shinzo ABE shpalli “Iniciativën e Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor”, gjatë vizitës së tij në vendet e Evropës Juglindore, me qëllim mbështetjen ekonomike dhe sociale, reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në BE dhe promovimin e bashkëpunimit brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të kësaj nisme, Japonia ka ndarë ekspertizën e saj për çështje të përbashkëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si parandalimi i fatkeqësive dhe promovimi i NVM-ve, dhe ka inkurajuar të promovojë më tej bashkëpunimin rajonal, duke qëndruar pranë njerëzve të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në mesazhin e saj.
Diplomatja japoneze thotë se këtë vit, për nder të marrëdhënieve dypalëshe do të shënohen edhe ngjarje të ndryshme kulturore të organizuara nga Ambasada e Japonisë.
Në mesazhin e saj, ajo përmend se marrëdhëniet mes dy vendeve janë zhvilluar në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë dhe kulturën.
“Zhvillimi ekonomik i Kosovës është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në fushën ekonomike, aktivitete konkrete janë duke u zhvilluar edhe në Kosovë. Një kompani japoneze po zgjeron në mënyrë aktive operacionet e tyre në Evropë nga një bazë në Kosovë në sektorin e ushqimit. Për më tepër, vitin e ardhshëm do të mbahet Expo Osaka-Kansai dhe kemi marrë konfirmimin e qeverisë së Kosovës për pjesëmarrje. Ne jemi të etur të punojmë së bashku për të përshpejtuar përgatitjet për të ndërtuar një momentum për suksesin e Expo, duke shfrytëzuar këtë mundësi për të thelluar më tej bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Shpresojmë që pjesëmarrja e Kosovës në Expo të shfaqë sharmin e saj, duke çuar në shembuj të rinj të suksesshëm të investimeve të biznesit. Qeveria japoneze do të vazhdojë të inkurajojë dhe mbështesë zgjerimin e aktiviteteve të kompanive japoneze në këtë rajon, me bindje të fortë se forcimi i marrëdhënieve tona ekonomike do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejmë të zhvillimit ekonomik të Kosovës, duke hedhur kështu bazat për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet më tej në mesazhin e diplomates japoneze.
Pos marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, YOKO përmend edhe shkëmbimet mes dy vendeve në fushën e sportit, sidomos në xhudo, ku edhe përmend sukseset e xhudisteve kosovare, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
YOKO, në mesazhin e saj shpalosë edhe diplomacionë japoneze ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ajo thotë se mbështetja e procesit të pajtimit dhe reformave socio-ekonomike në këtë rajon që dikur ka vuajtur nga përçarja serioze midis njerëzve, duke kontribuar në paqen dhe stabilitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit.
“Kjo mishëron frymën e “Iniciativës së Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor” që Japonia e ka promovuar vazhdimisht. Sidomos në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përballet me sfida serioze, besoj se është kuptimplotë si Ministre e Jashtme e Japonisë të vizitoj rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili ka përjetuar konflikte shkatërruese në historinë e afërt, dhe të angazhohet në diskutime të sinqerta me njerëzit për rëndësia e paqes,” thuhet në mesazhin e diplomates japoneze.
Diplomatja japoneze përmend gjithashtu përparimin e Kosovës në pjesëmarrjen e grave në politikë, duke përfshirë presidenten Osmani, ministren e Jashtme Gërvalla dhe shumë anëtare të tjera gra të kabinetit.
Në këtë drejtim, ajo thotë se Japonia promovon politikat e ËPS (Gratë, Paqja dhe Siguria), të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në vitin 2000, që synojnë përfshirjen e grave në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e paqes.
“Ne dëshirojmë ta shfrytëzojmë këtë vizitë si një mundësi për të riafirmuar miqësinë dhe bashkëpunimin dypalësh që po thellohet vazhdimisht ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, dhe të shfrytëzojmë rastin për ta zhvilluar dhe forcuar më tej atë në të ardhmen” përfundon mesazhi i ministres së punëve të Jashtme të Japonisë, Kamikawa YOKO. /atvlive.tv





