Milot Avdyli shkëlqen ndaj Ferencvarosit,reprezentuesi dardan: Jam krenar për ekipin

Milot Avdyli ishte titullar dhe luajti të gjitha 90 minutat në ndeshjen mes Celjes dhe Ferencvarosit, e zhvilluar të enjten mbrëma në kuadër të Ligës së Evropës.
Reprezentuesi i Kosovës u aktivizua në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa skuadra sllovene arriti të marrë një pikë të vlefshme në udhëtim, duke barazuar pa gola, 0-0, ndaj gjigantit hungarez.
Reklamë
Pas përfundimit të takimit, Avdyli foli për paraqitjen e skuadrës dhe ndau përshtypjet e tij për këtë përballje.
“Nëse nuk fiton, është shumë e rëndësishme të mos humbasësh. Ne ia dolëm ta arrinim këtë, duke zhvilluar një ndeshje të mirë. Duam të tregojmë më shumë në sulm, por, përndryshe, jam shumë krenar për ekipin. Falënderoj bashkëlojtarët dhe tifozët tanë. Po ecim përpara dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur”, deklaroi Avdyli.
Futbollisti 24-vjeçar është shndërruar në një lojtar mjaft të rëndësishëm dhe shumëfunksional te Celje, pasi gjatë aventurës së tij në klub ka luajtur në disa pozicione të ndryshme.
“Kur erdha te Celje, luaja në pozitën e numrit dhjetë. Më vonë luaja si anësor i sulmit, ndërsa tani jam në pozitën e mbrojtësit. E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është të luaj! Më pëlqen të mësoj të luaj edhe në pozicione të tjera dhe dua të vazhdoj të paraqitem mirë dhe të përparoj”, përfundoi futbollisti nga Vushtrria.
Për Avdylin, kjo ishte paraqitja e 72-të me fanellën e Celjes. Më shumë ndeshje në karrierën e tij ai ka zhvilluar vetëm për FC Aarau, ndërsa më parë ka qenë pjesë edhe e skuadrës ukrainase Vorskla Poltava.
Reklamë










