Përgatiti: Krenare Mulliqi
Përgatitjen e ushqimit e bënë aty ku e bënë edhe gjumin.
E në këtë shtëpi me vetëm dy dhoma jeton një nënë 72 vjeçare me tre djemtë e saj.
Përveç mungesës së hapësirës dhe kushteve të rënda të jetës, Demira Demirov, nga komunitet rom duhet të paguajë edhe qira mujore. Sipas 72-vjeçares, nga Gjilani, jeta bëhet edhe më të vështirë për shkak të vet përkatësisë etnike që ka.
“Jeta vërtet është e vështirë, fëmijët nuk kamë arritur t’i shkolloj dhe tan nuk punojnë askund, mezi mbijetojmë, kjo shtëpi nuk është e jona ne jemi me qira 220 paguajmë çdo muaj”, tha Demirov.
Por pavarësisht paragjykimeve dhe shumë sfidave që i janë paraqitur përgjatë rrugës, Shpresa Gashi nuk hoqi dorë nga përpjekjet e saj për të përmirësuar sado pak jetën e komunitetit.
Si rome që është, ajo i takon komunitetit që vlerësohet të jetë më i margjinalizuari në shoqërinë kosovare por paraqet histori suksesi si aktivistja e parë grua rome.
“Paragjykimet që janë bërë komuniteteve më ka bërë që të punojmë më shumë për ta nuk ka qenë e lehtë por megjithatë ja kemi dal të përmirësojmë sado pak jetën e tyre..”, tha Gashi.
Pavarësisht problemeve shëndetësore 54 vjeçarja punën nuk e ndal as në shtëpi, andaj përkushtimi i saj është vlerësuar me shumë shpërblime.
Komuniteti rom në Kosovë dhe gjithandej në botë më 8 prill shënon Ditën Ndërkombëtare e sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Kosovë jetojnë 8 mijë e 700 rom.