Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të pranojë se nuk ka mundësi të largohet me sukses nga lufta në Ukrainë.
“Ne duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Merz në Bundestag.
Ai ka theksuar se një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve nuk mund të jetë baza për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.
“Por një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve nuk do të jetë baza për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, ka shtuar ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të martën se ishte gati të diskutonte një kornizë të mbështetur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe të trajtonte pikat e diskutueshme me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se bisedimet duhet të përfshijnë edhe aleatët evropianë.
“Vendimet për çështjet evropiane mund të merren vetëm me pëlqim të ndërsjellë. Ukraina nuk është një gur shahu, por një aktor sovran për interesat dhe vlerat e veta”, ka deklaruar Merz.
Kancelari ka shtuar se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë popullin ukrainas dhe do të përdorë asetet e ngrira ruse për këtë qëllim. Ai ka bërë të ditur se ndihma financiare e Gjermanisë për Ukrainën do të rritet në 11.5 miliardë euro në buxhetin e vitit 2026, nga 8.5 miliardë euro që ishin planifikuar më parë.







