Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin ALARM nga Teatri Kombëtar i Kosovës në Prishtinë, me rastin e Ditës Botërore të Teatrit, drejtori artistik Kushtrim Mehmeti foli për rolin jetik që ka pasur teatri nëpër dekada – si frymëzim, si edukim dhe si zë i guximshëm në kohë të vështira.
Ai thotë se, Teatri Kombëtar ka qenë më shumë sesa skenë arti – ka qenë një shkollë, një medium dhe një mjet rezistence, i lindur nga dashuria për shoqërinë, edhe në periudha represioni.
“Teatri është një promotor i shoqërisë. Është zhvilluar prej atyre njerëzve të cilët kanë qenë të jashtëzakonshëm, sado që ndoshta nuk kanë qenë profesionistë po flas me diplomë, por kanë qenë profesionistë të jetës”, thotë Mehmeti.
Ai thotë se Teatri Kombëtar nuk është ndalur asnjëherë edhe në kohët më të vështira.
“Teatri nuk është ndalur asnjëherë, ka vazhduar të punojë edhe atëherë kur është bllokuar Teatri Kombëtar, i njëjti ka vazhduar në Teatrin Dodona edhe në pjesë tjera, kudo që kanë mundur me e zhvillu mediumin që ka qenë shumë i rëndësishëm i kohës edhe që ka qenë një promotor i shoqërisë”, tha ai.
Intërvistën e plotë të Kushtrim Mehmetit në emisionin ALARM, e gjeni në videon më poshtë: