Sot, e martë, futbolli evropian pritet të përjetojë një nga mbrëmjet më dramatike të sezonit. Në xhiron e gjashtë të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve, shumë prej ekipeve kryesore luajnë ndeshje vendimtare, jo vetëm për kualifikim, por për disa edhe për mbijetesë në garë.
Kryendeshja e mbrëmjes zhvillohet në “Giuseppe Meazza”, ku Interi pret Liverpoolin në një duel që pritet të jetë spektakolar.
Ndërkohë, për skuadra si Barcelona dhe Atletico Madrid, kjo natë mund të jetë vendimtare – një betejë “jetë a vdekje”. Barcelona pret Eintracht Frankfurtin në “Camp Nou” nën presion të madh për pikë, ndërsa Atletico përballet në udhëtim me PSV Eindhovenin.
Priten duele të forta edhe në sfidat Bayern Munich–Sporting Lisbonë dhe Atalanta–Chelsea.
Edhe për klubet më të vogla, nga Kairat Almaty deri te Union Saint-Gilloise, kjo mund të jetë mundësia e fundit për të surprizuar kontinentin dhe për të siguruar pozita historike. Kairat pret Olympiacosin, ndërsa Union Saint-Gilloise ndeshet në shtëpi me Marseille.
Në takimet tjera të mbrëmjes, Monaco pret Galatasarayn, ndërsa Tottenhami përballet me Slavia Pragën.
Takimet fillojnë nga ora 21:00, përveç Bayern Munich – Sporting nga ora 18:45 dhe Kairat Almaty – Olympiacos 16:30. /ATVLIVE.TV






