Mbi luftën hibride dhe kërcënimin hibrid

Cigaret me rrymë, alltiat me gaz, inteligjenca artificiale, lufta hibride, kah po shkon kjo dynjaja… saktë – forja më e re në Kosovë është lufta hibride.

Për hir të së vërtetës, shumica e njerëzve që flasin për luftë hibride në Kosovë, dy lidhje me këtë punë nuk i kanë. Meqë edhe unë nuk i kam dy lidhje me këtë punë, nisa me hulumtu pak.

Lufta hibride si term ka filluar të përdoret dikah kah 2005-a për disa operacione të talibanëve në Afganistan, që shkonin përtej luftimeve konvencionale të ushtrive me ushtri ose me forca të armatosura të organizuara.

Hera e parë që “lufta dhe kërcënimet hirbide” figuron në një komunikatë të përbashkët të NATO-s është para 10 vjetëve, gjegjësisht në Samitin e Uellsit, shtator 2014.

Vetë NATO, pas 10 vjetëve, konstaton që termi luftë, ka një definicion në sistemin juridik ndërkombëtar dhe për këtë arsye dhe për tjera, është kah shmanget përdorimi i termit “luftë hibride”, por është kah përdoret ‘kërcënim hibrid’.

Sipas NATO-s Kërcënimi hibrid i referohet veprimeve të mundshme ushtarake dhe joushtarake të hapura dhe të fshehta që një shtet ose aktor joshtetëror mund të marrë për të minuar një shoqëri dhe për të realizuar qëllimet e tyre politike.

Me fjalë tjera – çka pohohet nga politikanët është qyfte llaf!

Për luftën hibride flasim më vonë prapë në emision, por të merremi tash me raportimet e mediave për politikën!

Nëse mediat raportojnë se Nagip Krasniqi ka negociuar blerje të rrymës nga firma që nuk kanë pasur licencë të shesin rrymë në Kosovë, mund të jetë dëshmise Nagipi është tregtar – ama nuk është luftë hibride!

Nëse mediat raportojnë që Nagip Krasniqi i nënshtrohet Dejona Mihajlit, është dëshmi që Nagipi është i nënshtrueshëm, ama nuk është luftë hibride.

Nëse mediat raportojnë se Endrit Shala ka kurdisë tender baxhanaku i tij të fitojë 700 mijë Euro, tregojnë që Endriti shumë e don baxhanakun e vet, ama nuk është luftë hibride.

Nëse mediat raportojnë se Pal Lekaj dhe bashkëpunëtorë të tij kundërligjshëm ia kanë paguar Bechtel Enkas 53 milionë Euro, kjo tregon që Pali ka qejf me qarkullu miliona, ama nuk është luftë hibride.

Dhe, nëse publikojnë biseda ose pamje, ose përgjime, ose incizime të Mimoza Kusarit, Milan Radojicicit, Adem Grabovcit, Sami Lushtakut – NUK ËSHTË LUFTË HIBRIDE, është publikim i infove që i kanë marrë nga burimet e tyre dhe që, deri tash, nuk janë demantuar!!! Nuk ka dalë kush që dëshmon që pronto ose zdravo ka qenë montazh!

Me fjalë tjera – mediat jemi kah bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë – e politika është kah bën atë që ka bërë gjithmonë. Same old, same old! Nga pak ndërrohen partitë në pushtet, nga pak pronarët e mediave, nga pak ministrat, nga pak analistat – ama aty-aty jemi!

A ka dezinformata në Kosovë? – sa të duash

A shtyhet agjenda ruse? – vazhdimisht, ama problemi NUK JANË MEDIAT!

Mirëpo, duhet të sqarojmë një gjë – mbi 80% e trafikut në portale shkon nga rrjetet sociale. Pra, shumica prej juve, nuk klikoni www. (një media e caktuar) .com, nuk e di a njihni dikë që lexon lajme në laptop ose PC, a njihni dikë paguan për lajme, paguan media në Kosovë ose media të huaja, por lexoni çkado që ju del epara në fb ose n tiktok.

Në tiktok ju kam kallëzu çka ka!

Kjo i bie që për vëmendjen tuaj në rrjete sociale përveç mediave janë kah luftojnë edhe politikanët, klerikët fetarë, prostitutat, budallët, konspiracionistët, shkollat, kushërinjtë, faqet e shoppingut online, ata që bëjnë video me receta, ata që bëjnë video si auto-mekanikë, edhe eeeec e dije kush tjetër!

Edhe për këtë punë ka edhe hulumtime se si njerëzit mund të pësojnë, mund të bëhen viktima të dezinformatave dhe keqinformimeve, kjo është punë algoritmi!

Nëse për shembull dikush lexon dhe beson që limoni dhe soda e shëndoshin covid-19shin, atëherë i paraqitet në feed edhe një artikull që vaksinat kanë chipa, mandej nëse e han edhe këtë fore, ka gjasë që të han edhe fore tjera që që mjalti ju dobëson, që mjalti tjetër ju ndihmon në seks, manej është vorbull kjo. Nisë me besu që gruaja e ka vendin në Kuzhinë, që një grua e vrarë nga burri në Ferizaj e ka lypë, që ka me dalë Fenerbahçe 2sh, që mund ti fitosh 20K në crypto… me fjalë tjera kur e beson një rrenë, priti tjerat!!!

Mirëpo, asnjë nga këto budallaki që i përmenda nuk i prodhojnë mediat, këtë duhet ta merrni vesh dhe të filloni ta bëni dallimin!

Feedat e rrjeteve sociale do të ju fëlliqen edhe më shumë muajve të ardhshëm sepse janë kah afrohen zgjedhjet. Nëse nuk jeni të vëmendshëm, do të vëreni që disa faqe të fb që i përcjellin tash dhe që postojnë kamera të fshehta, video qesharake, përnjëherë do të blihen nga disa kandidatë për deputetë dhe ata më pas do të ju dalin në telefon vazhdimisht.

Fushata ka filluar dhe gjashtë muajt e ardhshëm, nëse nuk jeni të vëmendshëm, nëse nuk shikoni kush po poston diçka, keni me lexu shumë rrena, shumë budallaki dhe në shkurt keni me qenë më të pameçëm e më të padijshëm se që jeni tash!

Me iu kthy luftës hibride:

Nëse kishim pasë fakte që Serbia po na e helmon ujin – qysh kemi për Banjskë kish qenë akt i luftës ose kërcënimit hibrid, ama ujin e kemi helmuar vetë!

Nëse kishim pasë fakte që ndonjë armik është kah shtynë agjende dezinformatash për FSK, kish qenë kërcënim hibrid, por FSK-në pa çizme të reja, pa uniforma të reja, pa transport të rregullt dhe pa ushqim të rregullt – e kemi lënë vetë!

Nëse kishim pasë fakte që një armik është kah tenton me terrorizëm të sabotojë infrastrukturën në Kosovë – kish qenë terrorizëm, apo akt i luftës hibride, por nëse nuk dimë kush i ka qite gurët në hëkurudhë – s mund të spekulojmë!

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA