Me shumicë votash të deputetëve, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozim ligjin për mbrojtje të konsumatorëve, i propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.
Ndryshimet në ligj parashikojnë obligim ligjor për tregtarët me pakicë, qofshin të vogla, të mesme apo të mëdha, që në uebfaqet e tyre të publikojnë dhe çdo ditë t’i azhurnojnë çmimet e secilit produkt që shesin. Respektimin e kësaj norme ligjore do ta mbikëqyrë Inspektorati i Tregut, i cili do të ketë mundësi që të shqiptojë gjoba. Kjo siç tha propozuesi Bojan Stojanovski, bëhet me qëllim që qytetarët të mund të zgjedhin se cilin produkt në cilin market do ta blejnë. Paralajmëroi revizion edhe për shitësit e teknikës së bardhë por edhe për farmacitë.
“E tani që interesi ynë shoqëror është që të mbrojmë standardin e qytetarëve, nuk është interes thelbësor që ky zinxhir tregtar të sjellë para në Qeveri, të sponzorizojë futbollistë nëpër institucione, të sponzorizojë top golashënuesin i cili tani gjendet në listë të zezë, siç bënin deri tani, nuk mundet më dhe nuk është si “deri tani”. Duhet ta kuptojnë se nëse nuk janë të përgjegjshëm, në këtë shtet ka institucione të cilat në vend të parave të tyre e duan drejtësinë sociale”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE.
Deputetët e LSDM-së nuk morën pjesë as në komisione e as në seancë plenare, edhe pse paraprakisht e kritikuan si masë që nuk sjellë asnjë të mirë për qytetarët. Në Komisionin për Çështje Ekonomike patën mundësinë që të dorëzojnë amendamente.
Ky propozim ligj është vazhdim i masave të Qeverisë, pasi paraprakisht vendosi edhe ngrirje të marzhave të fitimit bruto për marketet dhe atë për 102 grupe të produkteve. Për tetë produkte bazë u vendos marzhë prej 5%, për 55 grupe të produkteve 10%, ndërsa për 39 grupe të produkteve marzhë prej 15%. Tregtarët nuk i mirëpritën këto masa duke thënë se do ta kenë vështirë të mbijetojnë. Por paraprakisht kur u vendos masa e “shportës së vitit të ri” dhe iu dha mundësia që vet të zgjedhin sa do të bëjnë ulje të çmimeve, këtë masë e keqpërdorën dhe manipuluan me çmimet.
Një ligj i tillë për publikimin e çmimeve, javën e kaluar u miratua edhe në Kroaci. Me ndryshimet ligjore, u vendos edhe kufizim i çmimeve për prodhimet më të rëndësishme. /Alsat.mk/