Tash kur pritet të hyjë në fazën e tretë, dhe të fundit, të procesit të tranzicionit, Forca e Sigurisë së Kosovës synon që të bëhet me pajisje ajrore.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se janë duke gjeneruar opsione për furnizimin me helikopterë.
Sipas tij, në ditët në vijim do të kenë një informacion të qartë se ku është orientimi për helikpoterët.
“Jemi duke gjeneruar opsione për furnizim me helikopterë dhe besoj që në ditët në vijim do të kemi një informacion më të qartë se ku është orientimi ynë për helikopterët dhe qytetarët normalisht do të jenë të informuar për orientimin tonë dhe për qasjen tonë në raport me helikoptetët dhe gjithmonë synimi ynë është që para përmbylljes së fazës së tretë të tranzicionit, para vitit 2028, të paktën të kemi një pjesë të këtyre aseteve në FSK”, ka potencuar ai për KP.
Gjatë këtij procesi, Kosova ka blerë dronë e automjete të ndryshme ushtarake.
Shteti i Kosovës është fokusuar në investime për sisteme moderne të armatimit, në mesin e tyre edhe blerjen e anti-tankeve “Javelin”.