Makina larëse për njerëz del në shitje për 329 mijë euro – a do ta provoje këtë “spa” automatik?
Një “makinë larëse për njerëz”, e cila pastron trupin nga koka te këmbët, ka dalë zyrtarisht në shitje në Japoni.
Kapsula, që ngjan me kabinën e një avioni luftarak, përdor rrebeshe me flluska ultra të imëta për të pastruar lëkurën nga çdo papastërti dhe yndyrë. Sipas kompanisë japoneze Science Co., e cila ka krijuar këtë pajisje të pazakontë, procesi i tërë larjes dhe tharjes zgjat vetëm 15 minuta.
Por komoditeti ka një çmim të majmë: makina kushton 290,000 £ (rreth 60 milionë jen).
Science Co. njofton se fillimisht do të prodhojë vetëm 40–50 njësi, ndaj pritet që shumica të shkojnë në spa-luksoze dhe hotele të niveleve të larta në Japoni.
Megjithatë, kompania nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të prodhojë një version më të përballueshëm për përdorim në shtëpi.
“Nëse teknologjia avancon dhe prodhimi masiv bëhet i mundur, modeli për familjarë mund të bëhet shumë më ekonomik,” tha një zëdhënës i kompanisë.
Si funksionon “makina larëse e njeriut”?
Kapsula është 2.5 metra e gjatë dhe 1 metër e gjerë, duke i lejuar shumicën e njerëzve të shtrihen rehat brenda saj. Pasi dera mbyllet hermetikisht, pajisja mbushet deri në gjysmë me ujë, duke e lënë përdoruesin të zhytur pjesërisht.
Më pas, trupi goditet nga spërkatje me shpejtësi të lartë, të mbushura me flluska ajri më të vogla se tre mikrometra. Kur këto flluska shpërthejnë, ato krijojnë valë presioni që largojnë papastërtitë nga lëkura — i njëjti proces që përdoret për pastrimin e komponentëve elektronikë që nuk mund të lahen me kimikate.
Por Science Co. pretendon se makina nuk ofron vetëm larje fizike, por “larje të shpirtit”.
Pajisja monitoron shenjat vitale të përdoruesit, si rrahjet e zemrës, për të siguruar që ai është i qetë dhe i sigurt. Ndërkohë, AI-ja interpreton gjendjen emocionale dhe projekton video relaksuese në brendësi të kapsulës për të qetësuar përdoruesin.
Frymëzim nga një ide 50-vjeçare
Ndërsa tingëllon futuriste, koncepti bazohet në një ide të paraqitur për herë të parë në Expo-n e Japonisë në vitin 1970, kur kompania Sanyo prezantoi “makinën e parë larëse për njerëz”. Ajo përfshinte dhjetëra toptha plastike masazhi, që godisnin trupin për relaksim dhe qarkullim gjaku.
Prototipi i atëhershëm kurrë nuk hyri në prodhim, por pati një interes të jashtëzakonshëm nga publiku, në një kohë kur banjat private në Japoni ishin ende luks.
Një prej fëmijëve që bëri radhë atëherë ishte Yasuaki Aoyama, sot kryetari i Science Co. “Më kujtohet sa i emocionuar isha. Mendova se çfarë lloj të ardhmeje na pret,” ka thënë ai për Asahi Shimbun.
Tani, si shef i një kompanie që prodhon teknologji të avancuar për dush, ai më në fund ka realizuar ëndrrën e fëmijërisë.
Interesi shpërthyes: 40,000 aplikime për ta provuar
Modeli i ri, i quajtur “Mirai Ningen Sentakuki” (“Makina Larëse e Njeriut të së Ardhmes”), u prezantua në panairin e teknologjisë Osaka-Kansai vitin e kaluar.
Fillimisht, kompania planifikonte të prodhonte vetëm një prototip, por u detyrua të rishikojë planet pasi 40,000 persona aplikuan për ta testuar.
Një hotel në Osaka tashmë ka bërë porosinë e parë, ndërsa 5 deri në 8 njësi të tjera janë rezervuar nga klientë të interesuar.












