Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara dy ankesat e fundit lidhur me procesin zgjedhor.
Ai shkroi se Lëvizja Vetëvendosja do të parashtrojë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese.
“Do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht”, tha Sallahu në një postim në Facebook të mërkurën më 26 mars.
“Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje Vetëvendosje. Do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi”, shkroi ai.
Supremja refuzoi të martën ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë demokratike të Ashkalinjve.
“Dy ankesat e pranuara me datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në faqen zyrtare të gjykatës.
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë më 21 mars në Supreme, kundër vendimit të PZAP-së ku u rrëzua ankesa e tyre për anulim të votave me postë të LDK-së si dhe kërkesën për rivotim me postë, transmeton KosovaPress.
E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha më herët për KosovaPress se varësisht prej vendimmarrjes së Supremes, do t’i zbatojnë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i hapte rrugë rrjedhjes së afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.
Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.
Sipas rezultateve, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë, shkruan KosovaPress.