Kandidati për kryetar të Prishtinës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku premtoi projekte konkrete për lagjet, si rikthimin në funksion të shkollës së braktisur në Kolovicë, ndriçim publik LED, vendosjen e kamerave të sigurisë dhe rregullimin e infrastrukturës rrugore me trotuare e shenja komunikacioni.
Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola tha se prioritet i tij do të jetë ndërtimi i sistemit të ujitjes për fermerët, në mënyrë që prodhimi bujqësor të rritet.
Në Gjilan, kryetari aktual Alban Hyseni theksoi se gjatë mandatit të parë ka investuar mbi 3.4 milionë euro në bujqësi dhe kërkon mandat të dytë për një Gjilan të zhvilluar dhe gjithëpërfshirës.
Në Fushë Kosovë, Valon Prebreza vizitoi fermerët në Lismir, duke premtuar mbështetje për prodhuesit lokalë.
Faton Peci, kandidat në Mitrovicë, premtoi mbështetje për sportin përmes infrastrukturës dhe subvencioneve, si dhe lehtësira për bizneset e vogla.
Në Podujevë, kryetari aktual Shpejtim Bulliqi prezantoi projektin e sallës së re të sporteve në Gllamnik.
Në Suharekë, Hamdi Bytyçi tha se prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës.
Në Ferizaj, Enver Haliti premtoi ndërtimin e stadiumit modern me kosto mbi 17 milionë euro, që do të përmbushë standardet ndërkombëtare.
Në Vushtrri, kandidati Sylejman Meholli u zotua për fuqizim të bashkëpunimit me Kryqin e Kuq dhe për investime në edukimin shëndetësor të popullatës.
Ndërsa në Malishevë, Valon Hoti tha se barazia gjinore do të jetë standard i qeverisjes së tij, duke garantuar që 50% e pozitave udhëheqëse komunale t’u takojnë grave.







