Kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, ka ndarë mendimin e tij përballë përballjes së shumëpritur Serbi – Shqipëri, që do të zhvillohet sonte në stadiumin “Dubocica” të Leskovcit, me fillim nga ora 20:45.
Në një prononcim për “Sport News”, Cana ka theksuar se përkundër barazisë në letër, Serbia ka një përparësi të vogël për shkak të kontekstit të grupit.
“Serbia nuk është në ditën më të vështirë, por as në formën më të mirë. Ndeshja është e hapur, 50 me 50. E shoh një avantazh për ta sepse luajnë për dy rezultate, ndërsa ne kemi gabuar ndaj Letonisë,” – u shpreh ish-mbrojtësi kuqezi.
Sipas Canës, dëshira për fitore është e barabartë në të dy kampet, por rrethanat mund të ndikojnë në ecurinë e ndeshjes.
Cana ka komentuar edhe mbi të ardhmen e trajnerit Sylvinho, duke theksuar se nuk duhet të nxirren përfundime të nxituara bazuar vetëm në këtë ndeshje.
“Nuk besoj se do të ketë ndryshime në krye të ekipit kombëtar. Duhet parë se si do të përfundojë ky edicion për të marrë një vendim. Ndeshja e parë me Serbinë nuk kishte ndonjë tension të madh, por duhet parë nga një këndvështrim tjetër,” – shtoi ai.
Shqipëria dhe Serbia janë përballur më herët në kuadër të këtyre kualifikimeve, më 7 qershor 2025, në “Air Albania”. Ajo ndeshje përfundoi me rezultatin 0-0, pa fitues pas 90 minutash. /ATVLIVE.TV