Përgatiti: Armand Hoti
Edhe këtë verë, Nuh Ibishi po lundron me varkën e tij në ujin e kthjellët të Liqenit të Batllavës.
Për 15 vjet me radhë, Ibishi priti e përcolli shumë pushues në mjetet e tij të lundrimit, që ditët e nxehta, i kalojnë në njërin nga liqenet më të mëdhenj të Kosovës.
Me këtë punë, thotë se e siguron bukën e gojës.
“Biznes i mirë është, por mundë edhe të mos jetë i mirë, por kur nuk ke zgjidhje tjetër, duhet të merrem me këtë. E dua këtë punë”, tha Ibishi.
Sipas tij, viteve të fundit ka rënë numri i pushuesve. Prandaj, ai kërkon më shumë investime këtu.
“Po të kishte qeveri siç duhet, këtu krejt do mbushej rërë, nga atje deri tek plepat aty, në mënyrë që të mos shkojmë as në Shqipëri as në Mal të Zi, këtu do kishim punë, s’do kishte nevojë të shkonim atje”, tha Ibishi.
Të dielën vendosi ta kalojë këtu edhe Isa Ramadani. Por ky shprehet i zhgënjyer me pushuesit që, sipas tij, po e ndotin ambientin.
“Kisha lut që këta të cilët vijnë këtu dhe pushojnë këto mbeturina mos t’i hedhin por le t’i dërgojnë në vend të caktuar”, tha Ramadani.
Mirëpo, buzë liqenit, nuk ka kontejnerë.
“I kisha lut këta kush e ka përgjegjësinë, t’i sjellin kontejnerët sa më shpejtë, t’i vendosin që mbeturinat të shkojnë aty aty dhe jo në këtë vend aq të bukur”, tha Ramadani.
Madje, këtu nuk ka as banjo publike.
Liqeni i Batllavës përdoret në raste edhe për gara sportive.