Kryetari i Nisma, Fatmir Limaj ka mohuar zërat që mund të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se deri më tani nuk kanë marrëveshje me askënd.
Ai u është përgjigjur edhe kritikave nga partneri i tij i koalicionit parazgjedhor, Ramush Haradinaj nga AAK.
Limaj tha se nuk ka ndonjë dakordim që dikush mos me u taku.
“Unë nuk kam asnjë shkresë nga askush dhe nuk kam parë ndonjë takim, ndonjë dakordim që dikush mos me u taku. Nëse ju keni parë ndonjë takim apo marrëveshje dhe unë kam munguar, atëherë keni të drejtë të thoni. Kushdo që ofrohet ne jemi të gatshëm e u ul me bisedu”, tha Limaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot e quajti të turpshme sjelljen politike të Limajt, për të cilin tha se nuk ka pasur komunikim që nga “intervista e fundit e famshme”.
“S’kam komunikim që nga intervista e fundit e famshme e z.Limaj. Ka qenë shumë e vështirë krijimi i shumicës nga opozita. Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Nëse NISMA dhe Limaj mbështesin pushtetin, kuptohet që ndahen nga ne, por është një ndarje mjaft e turpshme sepse ne kemi kërkuar votën për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm. Me u sill në një mënyrë të tillë nuk është në rregull”, tha Haradinaj.