Nga Rexhep Hasani
Duke pas parasysh raportin e forcave politike si rezultat i zgjedhjeve të fundit, Kushtetutën dhe sistemin tonë zgjedhor (shif Opinionin tim të botuar më 12.07.2025 në Bota Sot), është e qartë si loti se dora që tund djepin (ang. king maker) është LDK, siç ishte dikur kur nuk kishte fitues apsolut të zgjedhjeve, LSI (partia e Ilir Metës në Shqipëri). Prandaj, nëse LDK-ja vendos përfundimisht të mbetet në opozitë, mendoj se zgjedhjet e sërishme janë të paevitueshme. Kjo për arsye se propozimi i tyre për qeveri të unitetit, me arsye, mbeti pa mbështetje, sepse njësoj siç insistohet pa të drejtë nga PDK dhe AAK të ndërrohet kandidatja legjitime dhe legale, mandati i të cilës nuk është kontestuar nga askush (shif Letrën time të botuar në këtë gazetë më 26 qershor 2025) për kryetar të Kuvendit, njëjtë nuk mund të kalojë as propozimi i LDK për qeveri të unitetit, që Kryetari i VV-së të mos jetë kryeministër, sepse këtë e kanë përcaktuar me votë votuesit.
Pra, situata është e qartë si loti, ose siç thuhet mbreti është lakuriq, se me refuzimin e LDK-së për të bërë koalicion me VV-në dhe mosmbështetjen e propozimit të LDK-së për qeveri të unitetit, pashmangshëm shkohet në zgjedhje të sërishme, që do të mund ishte përsëritje edhe e një tentimi të pasuksesshëm, siç ka ndodhur në të kaluarën e afërt në Bullgari. Kujtoj se këtë luks nuk e a ka Republika e Kosovës dhe nuk e meriton populli i saj, kështu që zgjidhje e arsyeshme në këtë moment kohor konsideroj se nuk është përsëritja e zgjedhjeve, por ulja në tavolinën e dialogut dhe gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për themelimin e institucioneve. Prandaj, duke qenë se raporti i forcave politike, si rezultat i numrit të mandateve të fituara, ia ka përcaktuar një rol të tillë të LDK-së, ajo ia ka borxh popullit të Kosovës si dhe elektoratit dhe anëtarëve të saj, të rishqyrtojë vendimet paraprake të saj, duke marrë përsipër përgjegjësinë që i takon, sepse me këtë rezultat të zgjedhjeve nuk ka fitues apsolut por vetëm fitues relativ.
Pra, për konstituimin e Kuvendit kanë përgjegjësi të gjitha partitë parlamentare, kështu që është e moralshme që deputetët të cilët nuk marrin pjesë në votim, të mos heqin dorë nga të ardhurat që i fitojnë pa i merituar. Pas një stërzgjatje të tillë të konstituimit të Kuvendit, që pa asnjë arsye shkoi deri në apsurd, mendoj se duhet shqyrtuar seriozisht zëvendësimi i tyre me deputetë që pasojnë në listat e tyre të kandidimit. Siç duket qenia njerëzore shpesh është e prirur që gjërat t’i sjelli deri në apsurd, për të vërejtur se duhet të fillojë të sillet racionalisht.
Deputet të nderuar, konsideroheni të zgjedhur të popullit, kështu që si përfaqësues legjitim dhe legal nuk ju takon të silleni iracionalisht. Uluni sot, më 13.07. 2025, dhe votoni konstituimin e Kuvendit.