Policia e Kosovës ka njoftuar se disa arinj që ishin paraqitur ditëve të fundit në fshatin Bellobrad të Dragashit tashmë janë larguar.
Siç bëhet e ditur në njoftim arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara.
“Pas pranimit të një ankese dhe kërkese për intervenim nga drejtori i shkollës së fshatit, policia ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme. Policia, konkretisht Stacioni Policor në Dragash, fillimisht ka shtuar patrullimet policore në zonën e fshatit Bellobrad dhe ka njoftuar për bashkërendim institucionet përgjegjëse:- Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, – Drejtorin e Parkut Kombëtar “Sharri”, – Drejtorin Komunale për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe- Shoqatën e Gjuetarëve “Dhia e Egër” nga Dragashi. Nga Shoqata e Gjuetarëve “Dhia e Egër” është konfirmuar se aksioni për largimin e arinjve është përfunduar me sukses. Arinjtë janë kthyer në arealin e tyre natyror në pyje dhe janë ushqyer në vendbanimin e tyre, duke siguruar që të mos rikthehen në zonat e banuara. Policia informon edhe njëherë banorët e fshatit Bellobrad dhe rrethin se arinjtë janë larguar dhe zona është e sigurt për qytetarët”, thuhet në njoftim.







