Joan Laporta njoftoi se të gjitha procedurat e nevojshme për përfundimin e punimeve në stadiumin Camp Nou janë kryer dhe çertifikata është dorëzuar. Megjithatë, stadiumi ende pret miratimin e këshillit bashkiak, i cili duhet të lëshojë lejen zyrtare për funksionimin.
“Stadiumi është i gatshëm, ashtu siç kanë pohuar La Liga dhe UEFA,” tha Laporta, duke shtuar se nuk dëshiron të bëjë presion mbi procesin, pasi vendimi i fundit i takon këshillit të qytetit.
Barça planifikon të rihapë Camp Nou-n në tre faza, ku në secilën fazë do të lejohet një numër i ndryshëm spektatorësh. Faza e parë, me një kapacitet prej 27,000 tifozësh, është përfunduar sipas ekipit të ndërtimit dhe agjencisë së certifikimit.
Laporta shpreson që këshilli bashkiak të marrë vendimin për lejen e aktivitetit sa më shpejt, për të mundësuar zhvillimin e ndeshjeve në stadiumin e rinovuar. Megjithatë, ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e Barcelonës në Camp Nou. Për këtë sezon, ndeshja e Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain do të luhet në ‘Montjuic’ më 1 tetor. /ATVLIVE.TV