Përgatiti: Donisa Fazliu
Dy javë pas publikimit të Raportit të Progresit, deputetët e opozitës kanë kërkuar që të enjten, në seancë plenare të diskutohet për të.
Pas mbledhjes së kryesisë, shefat e grupeve parlamentare të opozitës, theksuan se edhe ata mund të kontribuojnë në politika që ndihmojnë reformën evropiane.
“Mendoj që diskutimi është i rëndësishëm dhe të japim kontributin tonë si parti politike, lidhur me reformën evropiane. Ju e dini që ky Raport ka evidentuar një sërë gjetjesh në shumë fusha dhe mendoj që është e rëndësishme që të diskutohen këto gjetje”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Të enjten do të diskutohet për raportin e progresit. Ne si opozitë kërkuam që të trajtohet raporti për Kosovën nga Bashkimi Evropian, për shkak që ky raport ka adresuar një mori problemesh dhe çështje që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur t’i adresojë”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Përveç diskutimit për raportin e Progresit për Kosovën, në rend dite do të jetë edhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare.
“Ndër pikat e para që do të diskutohet është raporti i progresit dhe gjetjet e Bashkimit Evropian lidhur me gjetjet e progresit të Kosovës si dhe votimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat janë tash e sa muaj në Kuvend për të cilat nuk po gjendet assesi konsensus i kalimit të tyre. LDK-ja qëndrimin e ka që i voton dhe i ka votuar”, tha shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Për Marrëveshjet Ndërkombëtare foli edhe deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja. Ai kërkoi nga opozita që këto marrëveshje të votohen.
“Të enjten në kuvend do të diskutohet për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, andaj ne shfrytëzojmë rastin si mazhorancë që t’u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, posaçërisht partive opozitare që të njëjtat të votohen, gjithashtu është vendosur të diskutohet për raportin e progresit dhe planin ndërkombëtar të shkencës”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.
Ndërsa, duke folur për dialogun dhe transparencën e kryeministrit Albin Kurti, deputetët e opozitës thanë se fatkeqësisht Kuvendi është i injoruar dhe në terr informativ. Po ashtu, ata kanë kërkuar nga Kurti të jetë më i kujdesshëm në raport me Veriun dhe të mos ngjallë panik te qytetarët.