Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas ndërprerjes së seancës konstituive, akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe mospranim të rezultateve të zgjedhjeve, raporton ATV.
Në një deklaratë për gazetarët në hollin e Kuvendit, ajo tha se votimi për verifikimin e mandateve nuk ka qenë kurrë më parë i kontestuar.
“Zgjedhjet kanë qenë me një rezultat të qartë. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë. Votimi për mandatet është proces teknik, jo propozim i Qeverisë apo partisë fituese. Nuk ka asnjë logjikë tjetër përveçse bllokimi i shtetit nga opozita”, deklaroi Kusari-Lila.
Sipas saj, përfaqësuesit opozitarë kanë refuzuar edhe thirrjen për konsultim nga kryesuesi Avni Dehari, duke mohuar të drejtën elementare për dialog institucional.
“Nuk mund t’i thuash kryesuesit që s’ka të drejtë të thërrasë për konsultime, kur jemi në krizë funksionale. Ata nuk kanë pasur kurrë forma kreative të opozitarizmit dhe tani po e shterojnë edhe këtë me një bllokadë të thjeshtë të shtetit”, tha ajo. /atvlive.tv
Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: