Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pavarësisht sulmeve të shumta ndaj saj ndër vite, ajo e ka parë angazhimin politik si një përgjegjësi publike që shkon përtej ndjenjave personale.
Duke folur mbi përvojën e saj personale në politikë, Kusari-Lila tha se sulmet ndaj saj janë të dokumentuara edhe statistikisht dhe se përkundër tyre, ajo ka vazhduar me përkushtim detyrën që e ka marrë.
“Po e them edhe prej përvojës personale, si gruaja më e sulmuar historikisht – jo tash, edhe e konfirmuar statistikisht – e së fundmi në raport me historinë, s’po shkojmë mbrapa, po shkojmë veç vitin e fundit… e mos flasni vit përpara, ka qenë jeta. Edhe prapë, që në këtë post nuk jemi vetëm për vete, ose nuk jemi për njëfarë forme për komoditetin tonë. Je për me kry një punë që është pak më e vështirë dhe që shkon përtej veç asaj se si po ndihna në këtë moment”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se politikanët nuk duhet të udhëhiqen nga ndjesitë momentale, por nga përgjegjësia për të përfaqësuar qytetarët dhe për të ndërtuar institucione të qëndrueshme.
“A po ndihna më e lënduar, apo ndihna e sulmuar, apo po e ndij që kam një obligim – përderisa e kam kërku besimin. Edhe përderisa gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës e kanë sovranitetin, integritetin dhe mbrojtjen e interesit shtetëror, unë mendoj që për mandatin e qeverisë së re duhet me pasë një reflektim tepër serioz”, deklaroi Kusari-Lila.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: