Kurti udhëton drejt Tiranës, merr pjesë në Samitin e Liderëve për Planin e Rritjes në Ballkanin Perëndimor
Nga G.O.
·Përditësuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Tiranës, ku sot do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Samiti do të mbahet në Pallatin e Brigadave, ku pritet të mblidhen liderët e vendeve të rajonit për të diskutuar për përshpejtimin e reformave, zbatimin e Planit të Rritjes dhe prioritetet e reja strategjike.
Reklamë
Një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Sipas agjendës, takimi do të nisë në orën 10:00, me mbërritjen e liderëve, ndërsa në orën 12:30 është paraparë konferenca e përbashkët për media e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Takimi në Tiranë po mbahet dy ditë pas samitit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi mundësinë e disbursimit të një kësti të ri financiar për tri vende të rajonit.
Samiti pritet të shërbejë si platformë për koordinimin e hapave të mëtejshëm drejt zbatimit të reformave dhe afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.
Reklamë








