Kurti: Rrëfimi i Nishorit thirrje për mbështetje për burrat e dhunuar që ende përballen me paragjykime

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka theksuar se rrëfimi publik i të mbijetuarit të dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, Ramadan Nishori, është thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar.

Kurti ka thënë se në Ditën memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nderojnë çdo grua dhe burrë që përjetoi dhe mbijetoi këtë krim të rëndë e çnjerëzor të përdorur sistematikisht nga forcat okupuese serbe.

“Nderojmë Marte Tunajn, Vasfije Krasniqi Goodman, Shyrete Tahiri Sulimanin, që me guxim dëshmuan të vërtetën mbi krimet e Serbisë në Kosovë, edhe për mijëra gra e burra të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë të mbijetuarit e të mbijetuarat dhe angazhohet për drejtësi, njohje dhe mbështetje të vazhdueshme.

“Në këtë ditë simbolike, në përputhje me ligjin, po zgjasim periudhën e aplikimit në Komisionin Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, me synimin që asnjë e mbijetuar dhe i mbijetuar të mos mbetet pa mundësinë për të kërkuar njohjen dhe mbështetjen që meriton”, ka shkruar Kurti pas homazheve që ka zhvilluar te memorialë “Heroinat” në kryeqytet.

Sipas tij heshtja dhe stigma që ende rëndon mbi këtë krim lufte vazhdon të pengojë mijëra të mbijetuar që të kërkojnë drejtësi e mbështetje.

“Është detyra jonë si shoqëri që të ofrojmë përkrahjen tonë maksimale, me solidaritet dhe empati. Dhuna seksuale është përdorur sistematikisht nga Serbia si mjet lufte në Kosovë gjatë viteve 1998 – 99. Pas 23 vitesh pandëshkueshmëri, në korrik të vitit 2021, u shënua një hap drejt drejtësisë, me dënimin e parë të kriminelit të luftës Zoran Vukotiq për dhunën seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri. Këto krime nuk parashkruhen e as nuk falen”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij kjo ditë është rikujtim se nuk do të lejojnë kurrë që dhembja, vuajtja dhe sakrifica e të mbijetuarave e të mbijetuarve të harrohet apo të shpërfillet. “Duke u ballafaquar me të kaluarën, duke kërkuar drejtësi dhe me solidaritet, ne mund të ndërtojmë një shoqëri paqësore e të ardhme të drejtë për të gjithë”, ka shkruar Kurti.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA