Trepça ka mbrojtur me sukses titullin e kampionit. ‘Xehetarët’ në super finalet e “Play-off”-it triumfuan ndaj Bashkimit në serinë finale 4:2. Finalja e fundit në Mitrovicë u zhvillua në një super atmosferë, derisa ky kampionat ishte me dramë, adrenalinë dhe emocione të pafundme.
Mitrovicasit finalen e fundit e fituan 82:67 (27:22, 18:8, 17:19, 20:18). Sfida ka qenë mjaft interesante nga fillimi deri në fund. Vendasit e nisën ndeshjen më mirë, duke fituar çerekun e parë 27:22, derisa edhe më bindës ishin në periudhën e dytë 18:8, për të shkuar në pushim me epërsi të lartë 45:30.
Trofeun e kampionit e kanë ndarë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Ky i fundit pastaj përmes një postimi në Facebook ka uruar Trep♪5ësn për suksesin e arritur por edhe bashkimin për paraqitje dinjitoze në këto gjashtë finale, raporton KosovaPress.
“Titulli i dytë radhazi dhe i gjashti në histori për minatorët e Mitrovicës që po vazhdojnë të dominojnë basketbollin vendor. Përgëzime KB Bashkimit! Finalist dinjitoz që përkundër humbjes, i dha hijeshi kampionatit të sivjetëm me rivalitet të fortë. Urime Trepçës, qytetit të Mitrovicës dhe Torcidës, që edhe këtë herë ishin zemra e fitores”, ka shkruar Kurti.