Në përvjetorin e 43-të të vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe të Kadri Zekës, kryeministri Albin Kurti ka kujtuar tre heronjtë si dhe ka bërë homazhe në Dubovik, në vendlindjen Jusufit e Bardhoshit, raporton Ekonomia Online.
Kurti në një postim në Facebook, shkruan se Jusuf Gërvalla ka qenë një veprimtar i kulluar politik, me vetëdije të lartë, me vullnet të pathyeshëm, me talent të rrallë dhe me energji të pashtershme.
“Jusuf Gërvallën e kanë eliminuar shërbimet sekrete serbe, ashtu siç kishin bërë edhe me të tjerë, bashkë me vëllain e tij Bardhoshin dhe shokun e tyre bashkëveprimtar, gazetarin Kadri Zeka, sepse vetëm duke i vrarë mund t’ua pushonin aktivizmin dhe angazhimin. Por aktivizmi dhe angazhimi për çlirimin e Kosovës vazhdoi edhe pas tyre deri më 1999, kurse përpjekja dhe puna për t’ia shtuar e forcuar substancën lirisë së Kosovës ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot”, shkruan Kurti.
“Ishim për ta kujtuar Jusufin që nga origjina e tij, sepse në rrugën tonë për Republikën e Kosovës, për shtetësi dhe sovranitet, ne jemi bashkë me të dhe ajo është bashkë me neve, Donika Gërvalla, vajza e Jusuf Gërvallës:, shkruan tutje Kurti.
Kryeministri Kurti tha se si zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, vetë shërbyesja në këto detyra, Donika Gërvalla është dëshmi e gjallë e triumfit të historisë tonë dhe lirisë së popullit për një Kosovë të pavarur e sovrane, demokratike e prosperuese.
“Dhe në këtë triumf, njëri nga trofetë e mbanë edhe emrin e Jusuf Gërvallës. Lavdi heronjve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla, lavdi heroit Kadri Zeka!”, ka shkruar Kurti në Facebook.