Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë duke lëshuar sallën e Kuvendit bashkë me disa ministra të kabinetit të tij qeveritar, pas rrahjes që ndodhi sot mes zyrtarëve të LVV-së dhe PDK-së.
Nga ana tjetër, jashtë sallës të Kuvendit të Kosovës është shtuar prezenca e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Po ashtu, edhe te shkallët që çojnë në sallën e kuvendit, është pozicionuar sigurimi i kuvendit, të cilët nuk po lejojnë lëvizjen pa përcjellje.
Aktualisht, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë për dy orë me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, i cili tha se për momentin nuk janë kushtet për ta vazhduar seancën plenare.
“Kjo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës është me të vërtetë e papranueshme; përdorimi i dhunës është edhe i ndëshkueshëm, i dënueshëm nga të gjithë ne”, tha ai.
“Nëse ka pasur sulm fizik në Kuvendin e Kosovës, ai do të trajtohet prej ligjit, ashtu siç thonë ligjet tona dhe organet e rendit”.
Gjatë seancës së sotme, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë sulmuar fizikisht kryeministrin Albin Kurti dhe pjesëtarë tjerë të Qeverisë.
Kurti ishte duke folur për situatën në veri të Kosovës, kur fjalimi i tij u ndërpre nga deputetët e opozitës që brohorisnin “rrenc”.
Fillimisht, në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi u hodh ujë nga deputeti Mërgim Lushtaku, pasi Bislimi largoi dhe grisi nga foltorja një foto-montazhë të kryeministrit me hundë të zgjatur që opozita ia kishte vendosur aty.
Më pas, situata u rëndua me sulme fizike edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati.