Kurti e njofton presidentin zviceran për raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës në Zvicër është takuar me Presidentin e Konfederatës zvicerane, Alain Berset me të cilin kanë biseduar për marrëdhëniet ndërshtetërore, afërsinë mes popujve, bashkëpunimin bilateral, shkëmbimet tregtare dhe zhvillimet e fundit.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit në Kosovë thuhet se Kurti e njoftoi presidentin Berset për zhvillimet e fundit në vend, raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut, për rezultatet e deritanishme të qeverisjes, politikat prioritare dhe për progresin e shënuar në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të luftimit të korrupsionit, sikurse është evidentuar edhe nga raporte kredibile ndërkombëtare për dy vite rresht.

“Në mesin e politikave zhvillimore në të cilat shteti i Zvicrës ka luajtur një rol të rëndësishëm pozitiv, kryeministri Kurti veçoi atë të arsimit dual i cili këtë vit akademik do të zgjerohet në gjithsej 12 profile të ndryshme, në 13 komuna dhe 21 shkolla profesionale dhe përmes së cilit synohet që të bëhet lidhja ndërmjet arsimit profesional dhe tregut të punës”, thuhet në komunikatë.

Më tej në njoftim thuhet se kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen e Zvicrës në çdo etapë të rezistencës, çlirimit, pavarësimit, shtetndërtimit e zhvillimit, si një nga vendet e para që e njohën Kosovën.

“Ajo edhe sot vazhdon të përkrah shtetin e Kosovës, përfshirë në arenën ndërkombëtare, siç u dëshmua edhe me mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai falënderoi Zvicrën edhe për rolin e saj në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes misionit të Sëisscoy, në kuadër të KFOR-it, të cilit së fundi i është vazhduar mandati deri në vitin 2026”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se të dy folën për mundësitë në fushat me potencial për bashkëpunim më të thelluar dhe për marrëveshje të reja që e shtojnë atë, në veçanti në kuadër të EFTA-s.

Në takim, kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA