Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin në lidhje me katër vrasjet e ndodhura në tri ditët e fundit në Kosovë.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se duhet reflektim shoqëror për të adresuar dhunën që po ndodh.
Ai ftoi institucionet për drejtësi si dhe të parandalohen këto raste në të ardhmen, përcjellë KP.
Vetëm në tre ditë, 4 persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Kosovë – në tri raste të ndara.
Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij.
I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.
Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri.
Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën, transmeton KosovaPress
Vrasje tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.