Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mbrëmë pati një darkë pune me deputetët e Komisionit për Punë të Jashtme të Asamblesë Parlamentare të Francës, Marine Hamelet, Frédéric Petit, Pierre Pribetich, Jean-dhe Louis Roumégas, shtruar nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot.
Sipas njoftimit ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Francës dhe për rëndësinë e diplomacisë parlamentare për thellimin e mëtejmë të tyre dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, transmeton klankosova.tv.
Ndër tjera biseduan edhe për raportet me Serbinë, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli dhe Marrëveshjen Bazike të arritur atje dhe aneksin e saj të zbatimit.
Kurti ka falënderuar deputetët për vizitën që po i bëjnë Kosovës dhe shtetin francez për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme.
Ai thet t’i ketë njoftuar ata me zhvillimet e fundit në vend dhe me rezultatet e qeverisjes dhe siç pretendon qeveria, përparimin e arritur në katër vitet e fundit si në rrafshin ekonomik ashtu edhe në atë demokratik dhe të të drejtave të njeriut.
Gjatë darkës që u zhvillua në rezidencën e ambasadorit francez në Kosovë, gjithashtu u diskutua edhe për hapat dhe rrugën përpara drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së nëntë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe seancës së thirrur nga presidentja e vendit për datën 15 prill.