PËRGATITI: FATLUM JASHARI
Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nuk ka dalë nga ndërtesa komunale për më shumë se një javë. Për qëndrimin e tij brenda objektit që po ruhet nga KFOR-i dhe njësitë speciale të Policisë, kryeministri Albin Kurti e lavdëroi Hetemin. Por, juristë dhe njohës së qeverisjes lokale thanë se i vetëm në komunë, kryetari përballet me sfidën e funksionimit praktik.
Një ditë pas ceremonisë së betimit në shkollën e fshatit të tij – Bistricë, të premten e 26 Majit, në masa të shtuara sigurie, Lulzim Hetemi hyri në ndërtesën komunale në Leposaviq – për herë të parë si kryetar.
Pak minuta pas, aty e vendosi flamurin shtetëror.
Në raste të ndryshme, ai priti në takim ministrat Elbert Krasniqi dhe Xhelal Sveçla, si dhe disa përfaqësues të Policisë.
Nga e hëna e kaluar Hetemi nuk ka dalë nga ndërtesa komunale, të cilën po e ruajnë KFOR-i dhe njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
Nuk dihet nëse në komunë ka tjetër punëtor, pos kryetarit.
Ai nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit nëse ka marrë ndonjë vendim e as për atë se si po funksionon.
Juristi dhe njohësi i qeverisjes lokale, Qëndrim Arifi, shpjegon se në rrethanat aktuale, pa administratë dhe drejtorë të sektorëve, kryetari i ligjshëm ka fuqi vendimmarrëse, por i mungon mekanizmi zbatues.
“Jemi në rrethanë të jashtëzakonshme dhe problemi është politik, nuk është praktik. Mirëpo, ky problem politik sjell të gjitha këto pasoja praktike, që e vë në mëdyshje misionin se pse je brenda asaj komune ose pse je kryetar i asaj komune. Pra, kryetari i komunës praktikisht je kur mund t’i realizosh detyrat dhe përgjegjësitë që të janë dhënë me ligj”.
Arifi thekson se mandati që fitojnë nuk i kufizon kryetarët e komunave në orar punë prej tetë orësh në ditë.
“Qëndrimi në komunë është zgjedhje e vetë kryetarit dhe nuk ka ndonjë karakter në aspekt të mbulimit të normës së orëve të punës, dihet rrethana se pse ai po qëndron aty. Sidoqoftë, kryetarët e komunave sot janë shërbim të qytetarëve 24 orë”.
Duke lavdëruar Hetemin, i cili nuk ka dalë nga ndërtesa e komunës për më shumë se një javë, kryeministri Albin Kurti tha se ai po bën “qëndresë shembullore për Republikën e Kosovës”.
Në protestat që nisën me dhunë ndaj Policisë dhe gazetarëve, ish-kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todic, përmes KFOR-it, thuajse çdo ditë i ka kërkuar kryetarit Lulzim Hetemi të lirojë zyrën.
Edhe pse deri tani nuk ka një konfirmim për autenticitetin, një koment në Facebook nga një profil me emrin Lulzim Hetemi, u bë viral dhe më pas u fshi.