Bartja e mjeteve buxhetore nga 2024 në vitin 2025 në seancën e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës ka dështuar pasi nuk u hodh në votim.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës insistuan në prezencën e kryetarit Përparim Rama, i cili nuk ishte i pranishëm, andaj edhe nuk mbështetën hedhjen në votim të bartjes së mjeteve buxhetore, raporton KosovaPress.
Për këtë arsye asamblistët e këtyre dy partive e lëshuan seancën e jashtëzakonshme.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla deklaroi është e paqartë mungesa e Ramës në mbledhjen që e vetë e kishte ftuar.
“Nuk e kam të qartë mungesën e kryetarit në një mbledhje të jashtëzakonshme të cilën vetë e fton. Ne kemi marrë një ftesë që seanca e rregullt është më datën 2 qershor. Nëse kryetari e ka të pamundur të vijë sot, këtë pikë është mirë ta mbajmë në seancën e rregullt për shkak se nuk po e shoh të arsyeshme që për çështjen kryesore që ka të bëjë me buxhetin prej 28 milionë eurosh për të cilat është planifikuar të barten për vitin 2025 të mungojë kryetari. Kemi shumë pyetje për të cilat mund të përgjigjet vetëm kryetari”, theksoi ai.
Shefi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Leotrim Retkoceri tha se mungesa e kryetarit Rama është taktikë për të vazhduar me arsyetimet për bllokada dhe sabotime.
“Edhe në këtë seancë mungon kryetari Përparim Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme që vetë e ka ftuar të mbahet dhe është një pyetje që vlen nga të gjithë se ku është kryetari Përparim Rama për të arsyetuar bartjen e mjeteve financiare që e ka paraqitur para Kuvendit dhe asamblistëve. A është kjo një taktikë, për të vazhduar arsyetimet në bllokada dhe sabotime që janë kryefjala e tij, apo e ka detyrë dhe përgjegjësi të dalë para qytetarëve për të arsyetuar bartjen financiare para asamblistëve në mënyrë që të zhbllokohen situata dhe të vazhdohet me punimet e Kuvendit. Për këtë nuk mund të flas askush tjetër pasi ligji e njeh kryetarin e komunës si personin më të lartë të komunës, i cili duhet të dal të arsyetoj”, theksoi ai.
Për dallim që dy partitë opozitare më të mëdha në Kuvendin Komunal të Prishtinë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kërkuan prezencën e kryetarit Rama, nga partia në pushtet në kryeqytet Lidhja Demokratike e Kosovës u shprehën pro bartjes së mjeteve në vitin 2025.
Shefja e asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jeta Rafuna-Hasani u shpreh se për pyetjet që partitë opozitare mund t’i keni përgjigjet mund t’i marrin nga nënkryetarëve të Prishtinës bashkë me drejtoreshën e Financave, Valbona Makolli.
“I kisha thënë kolegut nga Vetëvendosje se edhe pse është në mungesë kryetari, është drejtoresha e Financave, e cila gjithmonë ka qenë afër neve në seanca dhe ka raportuar dhe ka mbrojtur pikat e saj janë dy nënkryetarët të pranishëm. Si asamblistë të LDK-së e përkrahim bartjen e buxhetit të vitit 2024 në vitin 2025 në vlerë prej 28 milionë eurosh”, u shpreh ai.
Sqarime për mungesë të kryetarit, Përparim Rama në seancën e sotme të jashtëzakonshme dha nënkryetari Florian Dushi.
“Kryetari, objektivisht e kishte të pamundur të jetë në këtë takim, i cili është thirrur mbi bazën e rekomandimeve nga drejtoresha e Financave, për shkak të afateve, sipas të cilave duhet të kalojë bartjen e mjeteve dhe për shkak të obligimeve të mbetura të komunës. Konsideroj, se nuk paraqet ndonjë problem ju keni të drejtë është thirrur nga kryetari, sepse është personi kompetent për të thirrur këtë seancë, megjithatë konsideroj se janë të gjithë personat përgjegjës që mund t’u japin informacione për secilin detaj që ndërlidhet me projekte të caktuara”, theksoi ai.
Drejtoresha e Financave në Prishtinë, Valbona Makolli tha se sikur të votohej buxheti komunal në afate të rregullta situata do të ishte ndryshe.
“Bartja e mjeteve nuk ka projekte të reja, janë obligime të cilat kanë mbetur në kontrata të nënshkruara. Kontratat janë të publikuara në ueb faqen e komunës… projekte, të cilat janë futur në këtë bartje të mjeteve janë obligime që operatorët janë duke pritur pagesat, përndryshe sikur të ishte vota juaj në buxhetin e rregullt gjysma e këtyre bartjeve nuk do të ishin këtu”, deklaroi Makolli.
Asamblistët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe ata të Aleancës Kosova e Re dhanë mbështetje për votim të kalimit të mjeteve buxhetore nga viti 2024 në vitin aktual. /KP