Ekipi organizativ i Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” (PITF) zhvilloi një takim të veçantë me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar përgatitjet për edicionin e sivjetshëm të festivalit.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, drejtori i festivalit, Zijad Mehić, së bashku me Ilir Bytyqin – drejtor i ART Image, Doruntina Alshiqin – drejtoreshë artistike, Erona Salihun – zyrtare për marrëdhënie me publikun, dhe Valentina Cenajn – koordinatore e festivalit, shprehën mirënjohjen për përkrahjen institucionale të deritanishme dhe e ftuan Kryeministrin që të jetë
pjesë e edicionit të nëntë, që do të mbahet nga 19 deri më 24 maj në Teatrin “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB.
Në takim ishin të pranishëm edhe aktorja dhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, si dhe Liburn Jupolli, zyrtar i lartë ekzekutiv nga kabineti i Kryeministrit.
Bashkëbisedimi i fokusuar në artin, kulturën dhe rëndësinë e ngjarjeve ndërkombëtare si PITF, konfirmoi edhe një herë përkushtimin për mbështetjen e aktiviteteve që pasurojnë jetën kulturore dhe artistike të vendit.